E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Pretenca e Prokurorisë, politike dhe e pabazuar në prova

Ish- zv.kryeministri Ilir Meta ka reaguar gjatë ditës së djeshme ndaj pretencës së dhënë dy ditë më parë nga Prokuroria për video-përgjimin e Dritan Priftit. Meta u shpreh i indinjuar ndaj pretencës së dhënë ndaj tij nga organi i akuzës, me 2 vite burg dhe 1 milion lekë gjobë. Përsa i përket kësaj pretence, Meta theksoi se Prokuroria në këtë rast ka dhënë një pretencë tërësisht politike dhe të pa bazuar në prova. Ai i ka bërë komentet nga qyteti i Shkodrës, ku ishte i pranishëm për një vizitë pune, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Kjo çështje është e qartë si disa çështje të tjera, si çështje e standardeve të dyfishta për qëllime politike të Prokurorisë. Ka qenë një pretencë e mbështetur në asnjë fakt, në asnjë provë, në asnjë dëshmitar. Një pretencë vetëm politike. Zbythja e prokurorisë ka qenë e konsiderueshme, nga janari vjen dënim me vdekje, tani dënim me 2 vjet burg me disa miliona lekë, se ata nuk rrinë dot pa venë gjoba”, theksoi Meta. Ish –zv.kryeministri ritheksoi edhe njëherë se e rëndësishme për qenien e tij si qytetar por edhe si politikan është forcimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit. Duke u nisur nga këto aspekte primare të forcimit të shtetit dhe ligjit, Meta argumenton edhe dorëheqjen e tij, të cilën e dha për të qenë sa më transparent ndaj drejtësisë dhe për të bashkëpunuar me të në respekt të së vërtetës. Duke shtuar më tej se do të jetë gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar në respekt të drejtësisë dhe të ligjit. “Për mua e rëndësishme si qytetar dhe si politikan mbetet forcimi i shtetit, ligjit, institucioneve dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Kjo është arsyeja që unë në momentin kur jam akuzuar, pas një komploti dhe një montazhi të qartë televiziv, për qëllime krejtësisht politike, në emër të këtyre qëllimeve kam dhënë dorëheqjen nga postet qeveritare, e kam konsideruar veten pa imunitet dhe kam shkuar vetë i pari në Prokurori për të bashkëpunuar në respekt të ligjit dhe të së vërtetës. Do të vazhdoj të mbetem një qytetar i përgjegjshëm dhe një njeri i ligjit, i institucioneve dhe i shtetit", u shpreh kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke shtuar më tej se do të zbatojë shtetin ligjor, pasi ka ende besim te drejtësia dhe se do ta fitojë këtë betejë.

Deklaratat e Priftit

Përsa u përket deklaratave të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, për video-përgjimet rreth çiftit Meta, kreu i LSI-së u shpreh se kundërshtari i tij në këtë çështje është tepër i vogël. Duke ironizuar më tej betejën e tij me Priftin, si atë të luanit me miun. “Unë kam qenë sportist kur kam qenë i ri, sportist i sporteve të rënda, dhe në sportet e rënda ka disa standarde. Se nuk mund të ndeshet një sportist i peshës së madhe me një të peshës së papërfillshme. Nuk mund të ndeshet një luan me një mi moçalishtesh, se ai mund të ketë pirë një gotë raki dhe për një moment i duket vetja i gjithëfuqishëm”, ironizoi Meta. Dimë tashmë se ditën e premte Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Gjykatës së Lartë të dënojë me 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë Ilir Metën, ish-zv.kryeministrin e akuzuar për korrupsion. Sipas Prokurorisë, Ilir Meta duhet të deklarohet fajtor për "korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë", akuzë e ngritur ndaj tij pas publikimit të një video-përgjimi mes tij dhe ish-ministrit Dritan Prifti. Gjykata e Lartë do të japë vendimin rreth çështjes më 16 janar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›