Rama: BE po flet troç për gjendjen “kritike” të politikës shqiptare
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ia ka kushtuar editorialin e kësaj jave intervistës së ambasadorit danez në vendin tonë. Rama evidenton në këtë editorial alarmin që jep Danimarka, si kryesuesja e radhës së BE, ndaj Shqipërisë. Duke u nisur nga zymtësia dhe peizazhi gri që e përshkruan ambasadori danez politikën shqiptare, Rama e ka titulluar editorialin “Alarmi i Presidencës Daneze”. Lidhur me këtë intervistë Rama theksoi se ato që rreshtoi dje ambasadori danez ishin befasuese, të thëna troç, me gjuhën e Europës, ndoshta si asnjëherë tjetër në këto vite të trazuara për Shqipërinë. Në kuadër të gjithë këtyre të thënave nga ambasadori danez, Rama theksoi se është e domosdoshme që politika shqiptare të ndryshojë që nga themelet e saj. “Është koha për të ndryshuar radikalisht politikën shqiptare në funksion të Europës, si shpirt, si vizion, si mision, si sjellje publike e sigurisht edhe qeverisëse, përfshi detyrimin tonë të papërmbushur tash njëzet vjet për Shqipërinë Europiane që na duhet si shqiptarë pa dallim. Për shtetin shqiptar, që në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë është larg të qeni shtet në shërbim të qytetarëve shqiptarë”, shkruan Rama. Më tej, në editorialin e tij, Rama bën krahasime mes qeverisë Berisha dhe modelit bjellorus të demokracisë së kontrolluar nga pushteti. “Modeli bjellorus i demokracisë së kontrolluar nga pushteti është diskredituar edhe pse vazhdon të mbetet projekti i pandërprerë politik i pushtetit të sotëm të Shqipërisë. Ky projekt s’ka asnjë të ardhme europiane, sepse Europa s’ka vend për një Shqipëri ku zgjedhjet s’përmbushin standardet e BE-së, ku vjedhjet qeveritare të pasurisë e të parasë publike janë rutinë”, shkruan Rama. Ndërkohë, Rama theksoi se shansit të plotë që është krijuar për ta shpëtuar Shqipërinë nga diktatura e faktit të kryer, Partia Socialiste do t’i japë mundësinë të bëhet realitet përmes një projekti politik europian, diametralisht të kundërt me projektin politik të qeverisë. “Përmes një projekti politik që është në embrionin e programit tonë të ri ‘Për një Rilindje Shqiptare’. Përmes një projekti politik që synon ndërtimin e shtetit modern europian, që Shqipëria nuk e ka ende pas 100 vjetësh pavarësi. Përmes një projekti politik që ka në thelbin e vet interesat kombëtare dhe një vizion të ri për Shqipërinë e shekullit XXI. Përmes një projekti politik që kërkon një politikë të re sot më shumë se kurrë më parë. Në fjalë, sjellje e vepra, Partia Socialiste do ta shpëtojë Shqipërinë nga diktatura”, shkruan Rama.