E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Programi ynë për punësimin favorizon gratë dhe vajzat

LSI, takim me vajzat dhe gratë e Njësisë Bashkiake Nr. 5
Shmangia e papunësisë, veçanërisht tek gratë dhe vajzat është një nga pikat kyçe në të cilat është fokusuar Lëvizja Socialiste për Integrim, në këtë prag zgjedhjesh parlamentare. Teksa mazhoranca është përqendruar në këtë fushatë me sukseset e saj gjatë këtyre 4 viteve në pushte, ndërsa e majta socialiste tek rritja e mirëqenies në fshat, LSI parashtron një program më afër nxitjes së punësimit në vend, si një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare. Lëvizja Socialiste për Integrim garanton programin më të mirë për hapësirën e punësimit dhe integrimit të grave dhe vajzave shqiptare. Kjo mbështetje ndaj grave dhe vajzave shqiptare është dhënë nga kreu i kësaj force politike, Ilir Meta gjatë takimit të zhvilluar në Njësinë Bashkiake, Nr. 5 në kryeqytet. Gjatë këtij takimi, Meta ka garantuar se programi i LSI- së favorizon punësim dhe hapësirën për integrim pikërisht për këtë kategori. LSI ka programin më të mirë për punësimin, programin më të qartë, dhe ky është një program që në radhë të parë favorizon gratë dhe vajzat. LSI po udhëheq fushatën me mendime dhe ide, si përsa i takon bujqësisë, ashtu dhe punësimit. Ne thamë se do të hapim 100 mijë vende pune, sepse ne studiuam se si do të hapen këto 100 mijë vende pune. Ne tashmë e kemi shumë të qartë planin, sesi do të hapen këto 100 mijë vende pune, ka theksuar Meta, duke u shprehur i bindur se me programin e LSI-së, gratë do të gjejnë veten e tyre, gratë do të gjejnë hapësira për punësim, hapësirën për integrim. Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, kreu i LSI-së, theksoi se gjatë këtyre dy ditëve del dhe programi i përmbledhur i LSI-së për zgjedhjet, të cilin do ta ketë çdo anëtar dhe çdo simpatizant. Sipas tij, në bazë të këtij programi flitet më qartë me njerëzit. Më tej, Meta u shpreh se në programin e saj qeverisës, LSI do të miratojë dhe zbatojë ligjin për moshën e tretë, do të garantojë punësimin dhe të gjithë aspektet kryesore që përmirësojnë jetën tuaj, dhe që përmirësojnë jetën e të gjithë shqiptarëve. Ne kemi dhe një ligj shumë të mirë për moshën e tretë, që garanton shumë lehtësira dhe shumë shërbime që nga problemi i rimbursimit të plotë të ilaçeve për moshën e tretë, që nga problemi i transportit falas edhe shumë drejtime të tjera, nënvizoi ai. Gjithashtu, sipas kreut të LSI-së, kjo forcë politike disponon edhe programin më të qartë për bujqësinë, sepse duke qenë bujqësia në krizë, është në krizë e gjithë ekonomia. Në këtë takim u vlerësua puna që po bëjnë gratë e LSI në Tiranë dhe në të gjithë vendin, si dhe kontributi i tyre në fitoren e LSI. Të gjithë gratë që folën në këtë takim shprehën besimin e tyre për fitore në 28 Qershor, duke e parë LSI si të vetmen zgjidhje për problemet dhe shqetësimet e tyre. Pjesë e këtij takimi ka qenë edhe zv/kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi i cili u shpreh se kjo forcë politike është rritur me komponentin kryesor të saj, me gra dhe me vajza, konsiderohen si katalizatori i të gjitha problemeve dhe halleve. Ne flasim për problemet e mëdha që ka ky vend që duhet ti përballojë shoqëria shqiptare, papunësinë, varfërinë, kriza në shkolla, shëndetësia, problemet e ambientit, infrastruktura për të mos thënë pastaj dhe probleme të tjera të mëdha që kemi dëgjuar dhe këto ditë, siç janë zullumet që bën qeveria jonë me vendet e tjera, theksoi Xhufi. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe zv/kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, nënkryetarja e LSI-së dhe kryetarja e LRI-së Erisa Xhixho, si dhe të tjerë drejtues të LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›