Zbulohet banda e kartave të kreditit, në pranga edhe një police
Tiranë- Një punonjëse policie ka përfunduar në pranga, si pjesë e një skeme mashtrimi me kartat e klonuara. Së bashku me të janë arrestuar edhe i vëllai, emigrant në Mbretërinë e Bashkuar dhe i shoqi, të cilët akuzohen se përmes kartave të klonuara kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë e shtetasve të huaj. Operacioni i koduar “Skimmer 3” përfundoi me arrestimin e Maliq Kacës, 29 vjeç, emigrant në Mbretërinë e Bashkuar, motrës së tij, Rajmonda Muda, punonjëse e Policisë së Tiranës dhe bashkëshortit të saj, Bedri Muda. Të arrestuarit janë hetuar që prej fillimit të këtij viti, kohë gjatë së cilës është bërë e mundur zbardhja e skemës që dyshohet se u ka sjellë rreth 30 mijë euro përfitime të dyshuarve. Shifra e vjedhur mbetet për t’u saktësuar, derisa të konfirmohet kalimi i parave nga llogaritë e shtetasve të huaj, kryesisht amerikanë dhe anglezë, të cilët kanë rënë pre e një skeme mashtrimi që ka nisur në janar të këtij viti në Britaninë e Madhe. Sipas hetimit, rezulton se në fillim të këtij viti Maliq Kaca që jetonte si emigrant në Angli, i ka sjellë motrës dhe kunatit disa karta të klonuara, të cilat përmbajnë informacion bankar të kartave të tjera, si “Visa” dhe “Mastercard”. Fillimisht, kartat e falsifikuara në Angli, të transportuara në vendin tonë nga Maliq Kaca, janë marrë në dorëzim nga motra e tij Rajmonda Muda, që deri dje kryente detyrën e punonjëses së policisë pranë drejtorisë së Policisë Tiranë. Hetimet kanë treguar se Rajmonda ka tentuar të përdorë një prej kartave të klonuara në një bankë të kryeqytetit, por nuk ia ka dalë të kryejë transaksionin. Më pas, kartat janë marrë nga bashkëshorti i saj Bedri Muda, i cili sipas policisë ishte i papunë. Përreth gjashtë muaj, i dyshuari Muda ia ka dalë të përdorë një sërë kartash të klonuara si në dyqane të ndryshme apo edhe bankomate të bankave të kryeqytetit. Ka qenë një prej bankave ajo që ka vënë alarmin për këtë çështje, pasi bankomati kishte arritur të bllokonte një kartë të klonuar, e cila nuk ka mundur të kryejë dot transaksionin. Sipas dëshmisë së punonjësve të bankës, karta ka qenë me mbishkrime indiane, çka fillimisht ka ngjallur dyshime, ndërsa më pas është kryer denoncimi në policinë e kryeqytetit, e cila në bashkëpunim me njësinë “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës kanë nisur hetimet për rastin në fjalë. Për rreth gjashtë muaj, Bedri Muda ka përdorur disa herë karta të klonuara, raste të cilat janë të provuara nga ana e policisë, pasi në shumë prej tyre ai është fiksuar nga kamerat e sigurisë së bankës. Gjatë kësaj kohe, të dyshuarit sipas policisë kanë bërë blerje në vlerën e 30 mijë eurove, por shifra e saktë pritet të llogaritet pas konfirmimit nëse transaksionet bankare janë kryer ose jo. Policia me ndihmën e bankave kanë mundur të evidentojnë transaksione bankare në vlera të konsiderueshme, me rreth 11 dhe 15 mijë euro, por nuk dihet me siguri nëse këto shuma parash janë tërhequr ose jo nga bankomatet. Policia ka mundur të provojë disa raste blerjesh nga të dyshuarit, të cilët nëpërmjet këtyre kartave ia kanë dalë të blejnë disa celularë dhe bizhuteri në disa dyqane të kryeqytetit.