Meta: Prokuroria tërhoqi të vetmen provë origjinale

Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë për tërheqjen e një prove. Ai theksoi në një deklaratë për mediat, se Prokuroria tërhoqi të vetmen provë origjinale, të cilën e solli vet si provë.
“Është e drejtë e gjykatës për të marrë vendime të tilla. Gjykata vepron mbi bazën e procedurave, por nuk mund të kërkojë Prokuroria sepse nuk është interesi i saj që të tërheq një provë, aq më tepër që të tërheqë të vetmen provë origjinale që është kjo. I vetmi filmim origjinal për këtë çështje, që ekziston në atë që ka administruar Prokuroria dhe Gjykata është kjo provë. Kjo tregon qartë që kemi marrëdhënie pengmarrje mes Prokurorisë dhe përgjuesit tim”, u shpreh Meta.
Po ashtu, kreu i LSI-së, theksoi se Prokuroria ka tërhequr të vetmen provë të qartë me zë dhe me figurë. “Çfarë e shtyn Prokurorinë për të tërhequr një provë, që ajo e ka sjellë vet si të tillë dhe ka vendosur paragrafë të caktuar në dosjen hetimore? Çfarë e shtyu Prokurorinë për të tërhequr një tjetër dëshmitar?”, nënvizoi kreu i LSI-së.