E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Qeveria e re gjurmë në modernizimin e vendit, Berisha ka nevojë për pushime malore

TIRANE- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka mbledhur sot në një takim për rreth 1 orë, 5 ministrat e kabinetit të ri qeverisës, nga radhërt e LSI-së. Mësohet se ministrat e LSI kanë paraqitur idetë e tyre për dikasteret që do drejtojnë. 

Pak orë pas kësaj mbledhje vetë Ilir Meta ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku ka shprehur mbështetjen e tij për qeverinë e re, ku padyshim edhe LSI do japë kontributin e saj. Edhe pse është kohë pushimesh, tha Meta, LSI punon për sfidat e reja që e presin.

“Shpreh mbështetjen time më të plotë për qeverinë e re dhe angazhimet e saj, do jetë një qeveri që do lerë gjurmë në modernizimin e vendit, në përmirësimin e qeverisjes. në efikasitetin e realizimit të reformave. Kjo qeveri do sjellë një politikë të re dhe emancipuese, më humane, një politike më integruese. Sot ditë pune u takuam me përfaqësues të ndryshëm të LSI, disa janë pjesë e kabinetit, LSI vazhdon angazhimet e saj edhe pse është një periudhë pushimesh, të gjithë janë në punë”, tha Meta.

Meta tha më tej se programi i qeverisë së re do bëhet publik në kohën e duhur. 

Kreu i LSI-së bëri me dije se qeveria e re do bëjë transparencën e plotë të financave publike, të cilat, sic tha Meta kanë degraduar në mënyrë dramatike, ndërsa shtoi se do përballojë me sukses këtë situatë të krijuar.

“Finacat publike kanë degraduar në mënyrë dramatike, sidomos gjatë muajve para fushatës elektorale vetëm në funksion të kësaj fushate, por jam i bindur se publikut do t’i jepet një transparencë e plotë e situatës aktuale financiare në vend dhe se qeveria e ardhshme do dijë të përballojë me sukses këtë situatë dhe të vijojë me përmbushjen e objektivave të saj qeverisëse për 4 vitet e ardhshme”, tha ai. 

Deklaratave të kryeministrit në detyrë Berisha, se qeveria e re ka ministrat më të korruptuar që ka pasur ndonjëherë vendi, Meta iu përgjigj, “Berisha ka nevojë për pushime malore, ato janë me relaksuese, edhe unë vetë bëra disa”.

Meta shprehu keqardhjen për akuzat se PS-LSI do të bëjë spastrime në administratë, ndërsa shtoi se shembull i këtyre spastrimeve është pikërisht PD.
“Sa për spastrimet, është për të ardhur keq që Berisha përdor një gjuhë të vjetër, PD është rasti më shembullor i spastrimeve, apo edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës pasi i dhamë fund koalicionit PD-LSI. Mendojmë që vlerësimi është dhënë me votë për çdo qëndrim të padrejtë dhe hakmarrës. Ne do forcojmë kapacitetet e administratës, respektojmë ligjin e nëpunësit civil, do ruajmë nivelin e ekspertizës në administratë. Do ketë reforma për një administratë më të efektshme. Është për të ardhur keq që ata flasin për qeverinë sikur ajo ka filluar punë që më 23 qershor, kjo nuk ju rrit besueshmërinë dhe seriozitetin, nuk i bën të reflektojnë arsyet e vërteta të humbjes së tyre, ka nevojë për opozitë konstruktive ashtu siç kishte nevojë për një qeveri të re”, tha Meta më tej. 

Meta ka komentuar më tej postet e përfaqësuesve të LSI në qeveri. Sipas tij, LSI nuk ka marrë asnjë ministri nga ato që që ka patur në 4 vitet e kaluara, në funksion të transparencës.

“Qeveria është e konceptuar si një e tërë, ka përfaqësues nga shoqëria civile. LSI nuk ka asnjë ministër në dikasteret ku është përfaqësuar në 4 vitet e kaluara, mendoj se ka qenë një zgjedhje e drejtë dhe në funksion të transparencës së ardhshme. Kjo ishte zgjedhja ime, që të krijoj mundësi për transparencë në ato institucione që drejtoheshin në 4 vitet e kaluara nga LSI. Kësaj qeverie i duhet fryma e ekipit dhe një koordinim sa më efikas”, shtoi ai më tej.

MBLEDHJA
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka mbledhur sot në një takim për rreth 1 orë, 5 ministrat e kabinetit të ri qeverisës, nga radhërt e LSI-së. Mësohet se takimi ka nisur rreth orës 12:30, ndërsa mësohet se ministrat e LSI kanë paraqitur idetë e tyre për dikasteret që do drejtojnë. 

Edmond Panariti e ka komentuar këtë si një takim konsultativ me kryetarin Meta. Ishte një takim konsultativ me Metën. Fola për pjesën e programit që do kem unë si ministër”, komentoi shkurt ai.

Në takim ishin të pranishëm Klajda Gjosha, e cila do të mbajë postin e ministres së Integrimt Europian, Nasip Naço që do mbajë postin e ministrit të Drejtësisë, Edmond Haxhinasto që do drejtojë Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Panariti që do jetë në krye të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, si dhe Lefter Koka i cili do jetë ministri i Mjedisit.

Bëhet me dije gjithashtu se Kreu i LSI-së, Meta ka zhvilluar më herët një takim kokë më kokë me deputetin e PS-së në Qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima. Menjëherë pas tij, Meta është takuar në selinë e LSI-së me 5 ministrat.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›