Meta: Rama abuzon, kur thotë që nuk është bërë asgjë në 17 vite
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka sulmuar dje nga Kamëza qëndrimet e kryetarit socialist, Edi Rama, se politika këto 17 vite nuk ka arritur të bëjë një program për të nxjerrë vendin nga varfëria.
“Është një mendësi e gabuar që të thuash që në 17 vjet nuk është bërë asnjë gjë. Të thuash që nuk është bërë asgjë, duke ditur që ai është kryetar i një partie që ka qenë 8 vite në pushtet dhe që mori një pushtet të djegur dhe të shkatëruar, pavarësisht që nuk bëri ato gjërat që priteshin dhe që na vonuan në rrugën e integrimit, është e njëjta gjë që bëri Sali Berisha në 1991 që me të njëjtën filozofi i dogji dhe i shkatërroi ato pak gjëra që vendi i trashëgonte nga vitet e diktaturës”, - tha Meta.
Çështja e kryeministrit
Duke sqaruar të pranishmit për debatin në lidhje me postin e kryeministrit në rast fitoreje të opozitës, Meta u shpreh se, “nuk ka qenë dhe nuk është një shqetësim as i LSI dhe as i Ilir Metës çështja e kryeministrit.”
“Nuk është hapur fare nga LSI kjo çështje dhe as nuk e meriton të hapet, kur ne jemi të bindur që themelore dhe kryesore mbi çdo gjë tjetër është dhe duhet të jetë sesi të mbrohen zgjedhjet e ardhshme nga manipulimet e mundshme të kësaj qeverie dhe ndaj këtij kryeministri. Ndaj i ftoj një pjesë të përfaqësuesve të lidershipit të PS, që të heqin dorë mbi këtë çështje që është jo vetëm e parakohshme, por edhe absurde, do e quaja unë për rrethanat e vendit”, - shtoi Meta.
Duke iu drejtuar kryetarit të PS, z. Rama, Meta tha se “e ftoj shokun tonë Edi, që të mos bjerë pre e servilizmave të atyre njerëzve në lidershipin e Partisë Socialiste, të cilët e nxisin në veprime dhe sjellje arrogante krejtësisht të panevojshme, të cilat nuk e ndihmojnë bashkimin e opozitës dhe të së majtës, as faktorizimin e mëtejshëm të opozitës në raport me mazhorancën për reformat më të mëdha.”
“Janë po këta njerëz që e nxisin sot Edin kundër koalicionit për të shkelur marrëveshjet, të cilët po dje nxisnin Fatos Nanon, kur ishte kryeministër kundër Ilir Metës dhe shumë socialistëve të tjerë që ngrinin probleme të ndryshme për qeverisjen e vendit. Në këtë kuadër, ata janë të njëjtët njerëz, me karakter intrigantësh, përçarësish, servilësh dhe i abuzuesëve me socialistët dhe me progresistët. Do të ishte më mirë që Rama të dëgjonte zërin konseguent të Petro Koçit dhe të shumë socialistëve dhe progresistëve, të cilët nuk kanë ardhur në Partinë Socialiste pas ‘97”, - tha Meta.
Reforma zgjedhore
“Sikurse e keni ndjekur në media, është për të ardhur keq që përfaqësues të lidershipit të PS kanë hyrë në tratativa jotransparente me përfaqësuesit e z. Berisha duke anashkaluar parlamentin, duke anashkaluar dhe bllokuar Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe për fat të keq duke shkelur një marrëveshje që kanë pasur pesë partitë e opozitës që si çështje të parë kanë pasur qëndrimin e përbashkët për Reformën zgjedhore”, - tha Meta.
“Ne na vjen keq për këtë sjellje të lidershipit të PS, sepse nuk është as vullneti i Partisë Socialiste që aleanca për zgjedhjet të kërkohet në mënyrë jotransparente me Berishën dhe jo në radhë të parë me opozitën. Me ato forca të opozitës, të cilat mbrojtën dhunimin e votës së lirë më 18 shkurt nga ai njeri që me të drejtë Rama e quajti tirani i votës së lirë”, - vijoi Meta.
Meta: Rama të mos censurojë opozitën
Kryetari i LSI, Meta, ftoi dje Ramën të mos ushtrojë ndikim nga pozitat e tij si kryetar bashkie ndaj televizioneve dhe gazetave, jo vetëm për të censuruar kolegët e tij të opozitës, por edhe për të censuruar zërat e ndryshëm brenda PS. “Sepse ne socialistët jemi krenarë që i dhamë fund në ‘97 traditës censuruese të Sali Berishës në 5 vitet e para të drejtimit të pushtetit nga ana e tij, kur kishte vetëm një televizion shtetëror dhe ishte krejtësisht partiak dhe kur kishte një gazetë, “Koha Jonë”, që u dogj, sepse ishte gazeta e vetme opozitare në atë kohë”, - tha Meta.