Meta: Rama, jo pre e servilizmave në PS
• Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka shpërndarë 130 tesera të reja në Kamzë, duke i ftuar të gjithë socialistët e vërtetë në koalicionin më të ri të iniciuar nga LSI.Aristir LumeziDuke i bërë një analizë të majtës dhe shkaktarëve që kanë çuar në këtë situatë, Meta i bëri thirrje kreut socialist Edi Rama të qëndrojë mbi atë pjesë të lidershipit të PS-së që kërkon të përçajë opozitën. Duke iu drejtuar kryetarit të PS-së, Rama, Meta tha se “e ftoj shokun tonë Edi, që të mos bjerë pre e servilizmave të atyre njerëzve në lidershipin e Partisë Socialiste, të cilët e nxisin në veprime dhe sjellje arrogante krejtësisht të panevojshme, të cilat nuk e ndihmojnë bashkimin e opozitës dhe të së majtës, as faktorizimin e mëtejshëm të opozitës në raport me maxhorancën për reformat më të mëdha”. “Janë po këta njerëz që e nxisin sot Edin kundër koalicionit për të shkelur marrëveshjet, të cilët po dje nxisnin Fatos Nanon kur ishte kryeministër, kundër Ilir Metës dhe shumë socialistëve të tjerë që ngrinin probleme të ndryshme për qeverisjen e vendit”, tha Meta. Kreu i LSI-së i ka quajtur ata intrigantë dhe përçarës. “Ata janë të njëjtët njerëz, me karakter intrigantësh, përçarësish, servilësh dhe i abuzuesve me socialistët dhe me progresistët. Do të ishte më mirë që Rama të dëgjonte zërin konsekuent të Petro Koçit dhe të shumë socialistëve dhe progresistëve, të cilët nuk kanë ardhur në Partinë Socialiste pas ‘97-ës”, tha Meta. Duke sqaruar të pranishmit për debatin e provokuar nga radhët e lidershipit të PS-së për çështjen e Kryeministrit të ardhshëm, Meta u shpreh se, “nuk ka qenë dhe nuk është një shqetësim as i LSI-së dhe as i Ilir Metës, çështja e Kryeministrit”. “Nuk është hapur fare nga LSI-ja kjo çështje, nënvizoi ai, dhe as nuk e meriton të hapet kur ne jemi të bindur, që themelore dhe kryesore mbi çdo gjë tjetër është dhe duhet të jetë se si të mbrohen zgjedhjet e ardhshme nga manipulimet e mundshme të kësaj qeverie dhe ndaj këtij kryeministri”, shtoi ai.ReformaKreu i LSI-së tha se një nga reformat më të domosdoshme që ndërkombëtarët kërkojnë nga politika shqiptare është reforma zgjedhore, e cila duhej të ishte realizuar prej kohësh dhe për të cilën LSI ka paraqitur një platformë të qartë para 3 vjetësh. Ai denoncoi negociatat e fshehta mes PS-së dhe PD-së për reformën zgjedhore në kurriz të koalicionit të majtë. “Sikurse e keni ndjekur në media, është për të ardhur keq që përfaqësues të lidershipit të PS-së kanë hyrë në tratativa jo transparente me përfaqësuesit e z.Berisha duke anashkaluar parlamentin, duke anashkaluar dhe bllokuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe për fat të keq duke shkelur një marrëveshje që kanë pasur pesë partitë e opozitës, që si çështje të parë kanë pasur qëndrimin e përbashkët për reformën zgjedhore”, tha Meta. Kreu i LSI-së ftoi Edi Ramën të mos hedhë poshtë sukseset e socialistëve në 8 vjet qeverisje gjatë daljeve të tij në publik. “Është shumë e vërtetë që në këto 17 vjet është bërë shumë më pak nga çfarë prisnim të gjithë ne, por të thuash që nuk është bërë asgjë, duke ditur që ai është kryetar i një partie që ka qenë 8 vite në pushtet dhe që mori një pushtet të djegur dhe të shkatërruar, pavarësisht që nuk bëri ato gjërat që priteshin dhe që na vonuan në rrugën e integrimit, është e njëjta gjë që bëri Sali Berisha në 1991, që me të njëjtën filozofi i dogji dhe i shkatërroi ato gjëra që vendi i trashëgonte nga vitet e diktaturës”, përfundoi Meta.