PS e PD braktisin mbledhjen
• Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore mblidhet pa praninë e anëtarëve të dy partive të mëdha, PS dhe PD.BLEDAR HOTISocialistët dhe demokratët bojkotuan mbledhjen e djeshme të Komisionit për Reformën Zgjedhore, duke lënë që mbledhja të zhvillohet vetëm me anëtarët e 10 partive politike që firmosën deklaratën e tyre. Duke parë mungesën e dy kryetarëve, Islami dhe Rusmali, mbledhjen e ka drejtuar kreu i PAD-së, Neritan Ceka. Anëtarët e komisionit dënuan ashpër mospraninë e përfaqësuesve të dy partive socialiste dhe demokrate në komisionin e posaçëm. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, ka qenë mjaft i ashpër në qëndrimet e tij, duke u shprehur që të kërkohet dhe largimi i bashkëkryetarëve. “Kërkoj shkarkimin e dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Rusmali dhe Islami nuk kanë drejtuar si duhet punën e ngarkuar. Janë ata që pengojnë reformat dhe nuk duan që Shqipëria të anëtarësohet në NATO. Mendoj se duhet të dalim me propozime konkrete nga kjo mbledhje”, deklaroi Braho. Ndërsa kreu i PDS-së, Paskal Milo, e ka cilësuar si të turpshme mospraninë e Rusmalit dhe Islamit, si dhe të anëtarëve të tjerë të komisionit të posaçëm parlamentar. “Ky është turpi i atyre që nuk janë këtu në komision sot, në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore”, deklaroi Milo. Ai theksoi se, “PS dhe PD duan sistemin spanjoll për të mos shmangur rrjedhjen e votave të tyre në proporcional. Gjatë këtyre viteve kanë rënë në masën 50% të votave të proporcionalit”. Përfaqësuesit e partive të djathta, Madhi i PR-së, Shpani i PDK-së, Gjoni i PAA-së u shprehën pro deklaratës së partive politike të firmosur më datë 28 shkurt të këtij viti mbi përcaktimin e sistemit elektoral në vend. Kreu i grupit parlamentar republikan, Madhi, deklaroi se “jemi për sistemin aktual, duke njehsuar procesin e votimit në një fletë votimi”. Të gjitha partitë politike të pranishme në mbledhje u shprehën kundër ndryshimit të pragut elektoral, por janë pro eliminimit në praktika të votimit mbi bazën e fenomenit të Dushkut. Deputeti i PAD-së, Neritan Ceka, akuzoi strukturat e Parlamentit se nuk lanë të futeshin në mbledhje ekspertët e OSBE-së. “Më duhet të deklaroj tani se janë bllokuar ekspertët e OSBE-së nga Kuvendi, duke i thënë se nuk ka mbledhje në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore. Atyre iu është thënë se nuk ka mbledhje. Kuptohet se çfarë marrëdhëniesh ka ndërmjet OSBE-së dhe dy partive, PS dhe PD”, tha Ceka.Propozimet e 10 partiveNë bazë të deklaratës së nënshkruar nga 10 partitë politike kërkohet zbatimi i “proporcionalit të personalizuar”. Kështu kërkohet votimi me një raund, votim me një votë të unifikuar, me tavan të hapur dhe me një prag prej 2.5 për qind të votave. “Kjo do të arrihet nëpërmjet që, pas përllogaritjes përfundimtare të mandateve në nivel kombëtar, të ketë një përputhje të plotë të përqindjes së mandateve në Kuvend me përqindjen e korrektuar të votave në shkallë vendin për çdo parti politike që kalon pragun elektoral”, thuhet në deklaratën e 10 partive politike. Këto janë kërkesat e partive të vogla, të cilat kërkojnë të bindin partitë e mëdha që t’i miratojnë ato me konsensus.VendimetKomisioni vendosi që të krijojë një grup pune të posaçëm për të hartuar një projektligj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Grupi i punës për të përpiluar draftin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor janë Spartak Braho i LSI-së, Arian Madhi i PR-së dhe Spiro Peçi i PBDNJ-së. Brenda një jave anëtarët e komisionit parlamentar të posaçëm për reformën zgjedhore do të mblidhen për të paraqitur në mënyrë të koncentruar propozimet për Kodin Zgjedhor për dy partitë e mëdha. Në këtë procedurë pritet që komisioni i posaçëm zgjedhor të zhvillojë mbledhje së shpejti. Anëtarët e partive të vogla vendosën që të mblidhen të hënën e ardhshme, për të vendosur mbi këtë sistem. Partitë e vogla mendojnë se do të bllokojnë ndryshimet kushtetuese. Ky është i vetmi mjet i partive politike të ashtuquajtura të vogla, duke realizuar mbi bllokimin e votave që nevojiten për ndryshimet kushtetuese. Për këtë duhen 94 vota në Kuvend dhe se PD dhe PS nuk i zotërojnë matematikisht ato. Për këtë shkak partitë politike të vogla synojnë të bllokojnë ndryshimet për sistemin zgjedhor, që prekin nenet e Kushtetutës. Në të kundërt parashikohet si një skemë lëvizjeje edhe paraqitja e kërkesës për mbajtjen e një referendumi nëse nuk bien dakord për ndryshimet kushtetuese.Tabela me kërkesaSistemi zgjedhor i përzgjedhur dhe i mbështetur është një variant i familjes së sistemeve të tipit “proporcional i personalizuar”.Votimi me votë të unifikuar, me një raund, me tavan të hapur, mbi bazën e listave të hapura dhe me prag elektoral 2.5% me përqindje të korrektuar në shkallë vendi.Të kundërshtohet çdo sistem që nuk përputhet me kushtet dhe realitetin politik shqiptar dhe që favorizon deformimet e tipit “Dushk” apo të një lloji të ngjashëm me të.Partitë nënshkruese janë dakord që të bashkëpunojnë me reformën zgjedhore PD dhe PS, kjo vetëm në rrugë institucionale, vetëm në komisionin e reformës.