E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet referendum për sistemin elektoral!

• Blendi KajsiuDiskutimet mes dy partive të mëdha PD dhe PS shpesh duken si një sekret kombëtar. Herë pas here “rrjedh” ndonjë informacion në lidhje me sistemin e ardhshëm, por pa ndonjë argument konkret se përse preferohet ky apo ai variant. Shumicat e diskutimeve nuk merren fare me meritat apo mangësitë e sistemit ...elektoral, por me akuza dhe kundërakuza mes palëve. Meta sulmon Ramën dhe Berishën, Rama shpreh keqardhjen për Metën, të vegjlit ankohen ndaj të mëdhenjve, ndërsa të mëdhenjtë bezdisen nga të vegjlit. Është krijuar kështu një kakofoni marramendëse, ku elita politike flet me veten përballë një qytetarie të habitur. Çdo ditë në televizor qytetarët dëgjojnë sesi demokracia rrezikohet apo shpëtohet nga rajonali spanjoll, sistemin i personalizuar gjerman, listat e hapura apo listat e mbyllura. Debati aktual për sistemin elektoral me siguri do të mbetet një rast tipik, ku motivet e fshehta mbulohen nëpërmjet një debati të hapur. Të gjithë aktorët politikë flasin për demokracinë, politikën e re, teksa në fakt shqetësohen për pragun elektoral, llojin e listës apo detaje të tjera që kanë të bëjnë me mbijetesën e partisë më shumë sesa me mbijetesën e demokracisë. Dhe këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe në vetvete. Çdo parti duhet të kujdeset për interesat e saj. Ama në demokraci detyra e një partie është të argumentojë dhe të bindë elektoratin se interesi i saj dhe interesi i elektoratit përkojnë. Për momentin asnjëra nga partitë politike nuk po argumenton se përse sistemi elektoral që i intereson asaj është në interes të elektoratit në përgjithësi.  PS-ja flet për proporcionalin rajonal, por nuk është e qartë se përse proporcionali duhet rajonal dhe jo kombëtar. Për cilën arsye nga njëra anë përdoret një sistem proporcional që në ndryshim nga mazhoritari mënjanon përfaqësimin zonal, dhe nga ana tjetër aplikohet sipas zonave të caktuara? Fakti që diçka e tillë ndodh në Spanjë, nuk është argument për Shqipërinë. Aq më tepër që ky sistem mund të prodhojë rritje të pragut në atë nivel saqë të eliminojë tërësisht futjen e aktorëve të rinj politik në treg. Po kështu, LSI-ja kërkon lista të hapura, por nuk na shpjegon se përse duhet një proporcional me lista të hapura, kur diçka e tillë e personalizon procesin e votimit. Dhe një nga përparësitë e proporcionalit në raport me mazhoritarin, sidomos për kushtet e Shqipërisë, është që eliminohet personalizimi i votës dhe tensioni mes kandidatëve që sjell diçka e tillë në terren. Natyrisht listat e hapura mund t’i shërbejnë LSI-së për të motivuar kandidatët e saj në terren, por vështirë të argumentosh se listat e hapura përputhen me frymën e proporcionalit.  Në këto kushte sugjerimi i Avokatit të Popullit për referendum në lidhje me sistemin elektoral duhet marrë seriozisht për të paktën dy arsye. Së pari, nëse sistemi elektoral zgjidhet me referendum secila palë do të duhet të japë argumente që janë bindëse për publikun në përgjithësi. Kështu do zhvendosemi nga një situatë ku palët flasin me njëra-tjetrën në një situatë ku ato flasin me publikun. Në këtë mënyrë diskutimi do të hapet dhe argumentet do të jenë më të qarta dhe më transparente. Natyrisht publiku nuk është eksperti më i përkryer i përzgjedhjes së sistemit elektoral. Por të tillë nuk janë as ekspertët e partive politike.  Këta individë më shumë sesa ekspertizë kanë interesa. Në fakt, dy partitë e mëdha, PD dhe PS, duhen parë me shumë dyshim në përzgjedhjen e sistemit elektoral, pasi kriteri kryesor për ta është leverdia partiake. Përzgjedhja e sistemit elektoral nuk është thjesht çështje ekspertize, por çështje interesi. Prandaj interesi më legjitim në përzgjedhjen e sistemit elektoral është ai i publikut dhe jo i partive politike.Së dyti, një referendum për sistemin elektoral do të ishte edhe një paratest mjaft i mirë për zgjedhjet e 2009. Këto zgjedhje janë një test madhor për Shqipërinë dhe integrimin e saj euroatlantik. Referendumi për sistemin elektoral jo vetëm do ta legjitimonte reformën elektorale, por do tregonte edhe nëse Shqipëria është e aftë të kryej një proces të rregullt elektoral.  Në parim një referendum i tillë duhet të jetë më i thjeshtë dhe me më pak tension sesa zgjedhjet parlamentare. Nëse ai zhvillohet me sukses, atëherë krijohet një klimë besimi dhe qetësie paraelektorale, që rrit shanset për zgjedhje të rregullta në 2009. Nëse referendumi zhvillohet me probleme, atëherë ai shërben si një paralajmërim për zgjedhjet e 2009, si dhe një mundësi për të trajtuar mangësitë që evidentohen gjatë mbajtjes së tij. Në të dyja rastet referendumi jo vetëm legjitimon reformën elektorale, forcon marrëdhënien elektorat-politikë, por shërben edhe si garanci për zgjedhjet e 2009-ës.  Së fundi, domosdoshmëria e një referendumi bëhet akoma edhe më e evidente kur mendon se sa pak të tillë janë realizuar gjatë 17 viteve të fundit, dy gjithsej. Dy referendume në 17 vite janë shumë pak. Sidomos në 17 vite tranzicion, kur po formësohet sistemi demokratik politik shqiptar. Ndaj një referendum për sistemin elektoral do të ishte një risi freskuese për një skenë politike, që me çdo mjet ka mënjanuar dhe deformuar votën e qytetarit. Një zgjidhje me referendum do të ishte shumë më demokratike sesa një marrëveshje e mbyllur PD–PS. Kjo po do ishte “politikë e re”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›