Shqiptarët në SHBA, drogë me avion nga Florida në Nju Xhersi

Prokuroria kërkon ekstradimin drejt SHBA-së të Gazmir Gjokës, i kapur në Shqipëri pak muaj më parë, i kërkuar nga FBI-ja.
Gjatë operacionit kundrejt grupit kriminal që drejtohej nga tre shqiptaë, FBI bllokoi, dy avionë, 500 mijë $ dhe kokainë
TIRANË- Zyra e marrëdhënieve me jashtë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, me kërkesë të FBI-së amerikane i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Gazmir Gjoka drejt SHBA-ve për tu përballur me akuzat e "shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike" në bashkëpunim. Madje grupi ku dyshohet se ka bërë pjesë Gazmir Gjoka, 56 vjeç, dyshohet se kishte trafikuar edhe heroinë në SHBA nga Evropa. Kërkesa për ekstradimin e tij, konfirmohet nga burime zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës, gjykatës së Tiranës. Kancelaria e kësaj të fundit, nëpërmjet shortit elektronik, ka caktuar gjyqtarin Ridvan Hado për shqyrtimin kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të ekstraduar Gjokën. Hado njihet gjërësisht si drejtuesi i trupit gjykues të superprocesit të Gërdecit, dosja e të cilit përmban 28 të pandehur.
Sipas dosjes me nr.355 të regjistruar në gjykatë më 21 janar 2010, Prokuroria kërkon ekstradimin e Gazmir Gjokës i njohur gjithashtu edhe me pesë emra të tjerë të përdoruar në SHBA, si Albin Kosova, Gus Gjoka, Alban Gazimiri, Alban Gjoka apo Alban Kosova. Sipas kërkesës për ekstradim, që pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Hado, mësohet se edhe vetë i arrestuari Gjoka ka shprehur gatishmërinë për tu përballur me akuzat ndaj tij të ngritur nga autoritetet e drejtësisë së Nju Xhersit (Neë Jersey). Pritet që gjyqtari Hado të caktojë datën e seancës së parë gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për llogari të FBI-së, që kërkon ekstradimin e 56- vjeçarit Gjoka. Pas arrestimit të shumicës prej tyre brenda SHBA-së, policia gjeti dhe sekuestroi dy aeroplanë të vegjël që përdoreshin për transportimin e drogës, ku njëri u sekuestrua në aeroportin "Linkoln Park" të Nju Xhersit dhe aeroplani tjetër në "Hartford Breinard" të Konektikatit.
Gjithashtu autoritetet e FBI-së sekuestruan edhe mbi 500 mijë dollarë amerikanë, 30 mijë pilula ekstazi, 2.5 kilogramë heroinë, si dhe 25 pistoleta nga të dyshuarit e arrestuar. Mësohet se i gjithë rrjeti i trafikut të drogës është zbuluar nga agjentët e FBI-së të infiltruar në këtë trafik droge që në vitin 2003, të cilët kanë mbledhur të dhëna dhe prova të rëndësishme ndaj të arrestuarve. Sipas FBI-së, në muajin shkurt të 2009 pilotët e njërit prej këtyre aeroplanëve të këtij rrjeti, shtetasit Louis Luyten dhe Paul Robinson, nga Glastonbury ishin regjistruar në një kasetë filmike, teksa arrin një marrëveshje me agjentët e infiltruar të FBI-së për të dërguar 10 kilogramë kokainë nga Florida në aeroportin e Ocean City. Kjo ka qenë prova më e fortë dhe e pakontestueshme, që ka çuar në qeli deri tani 17 persona mes tyre edhe shtetasin shqiptar Gazmir Gjoka që pritet të ekstradohet.
Gjoka u arrestua në qendër të kryeqytetit tri muaj më parë
Gazmir Gjoka u arrestua me 11 nëntor 2009 pranë stadiumit "Qemal Stafa" në kryeqytet. Mësohet se autoritetet e drejtësisë së Nju Xhersit më 12 mars 2009 kanë caktuar në mungesë ndaj 56 vjeçarit Gjoka masën e sigurisë "arrest me burg", duke shpallur kështu edhe në kërkim ndërkombëtar. Po gjatë muajit mars të vitit të kaluar, policia arrestoi edhe 17 personat të tjerë në qytetin e Nju Xhersit si bashkëpunëtor të trafikut të drogës, që bënin pjesë në një rrjet me 26 persona të tjerë të arrestuar në shtete të ndryshme të SHBA-së si pjesë e këtij rrjeti. Mësohet se i arrestuari Gjoka në bashkëpunim me shqiptarët Kujtim Lika dhe Myfit Dika ishin organizatorët e shitjes dhe shpërndarjes së drogave të forta si ekstazi, kokainë dhe heroinë në shtete të ndryshme brenda SHBA-së dhe drejt Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Hollandës dhe Kanadasë. Sipas dosjes së publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë duke iu referuar hetimit të Byrosë Federale të Investigimit në SHBA (FBI-së), operacioni i arrestimit të këtij rrjeti u kodua me emrin "Shqiponja e Zeza", pasi drejtohej nga shtetas shqiptar.
FBI:
Banda e Gazmir Gjokës me 17 anëtarë
TIRANË- Operacioni i FBI-së në Nju Xhersi, i koduar "Shqiponja e Zezë", ka arrestuar në mars të 2009 17 persona, si të përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës dhe armëve, si dhe ka sekuestruar 2 avionë, me të cilët realizohej trafiku. Të arrestuarit janë Peter Manna, 29 vjeç, nga Paterson, Nju Xhersi, Pablo Almanzar, 30 vjeç, nga Paterson, Nju Xhersi, Harjrudin Pejçinoviç, 39 vjeç, banues në Bruklin, Nju Jork, nga Maqedonia, Adis Radonçiç, 30 vjeç, banues në Nju Jork, nga Serbia, Lou Degidio, 38 vjeç, nga Bruklin, Nju Jork, Eugene Degidio, 44 vjeç, nga Bruklin, Nju Jork, Paul Robinson, 61 vjeç, piloti i njërit nga avionët e sekuestruar dhe piloti tjetër 71-vjeçar Louis Luyton, të dy nga Glastonberi, Konektikat. Gjithashtu janë arrestuar edhe vëllezërit shqiptarë Ervis Gjoni, 23 vjeç, dhe Galitiano Gjoni 30 vjeç, banues në Nju Jork, Sviatlana Aheyeva, 24 vjeç, banues në Nju Xhersi, Minir Rizvani, 31 vjeç, shqiptar dhe banues në Nju Xhersi, Mile Petkovski, 49 vjeç nga Maqedonia dhe banues në Nju Xhersi, Jason Patrick, 30 vjeç nga Kanadaja, Perparim Billa, 38 vjeç, shqiptar dhe banues në Nju Jork, Abdul Al-Houssaine, 42 vjeç me kombësi afrikane dhe banues në Bruklin, Nju Jork, si dhe Mirsad Kolasinaç, 36 vjeç, nga Maqedonia dhe banues në Nju Xhersi.