E Diel, 1 Nëntor 2026

Rojat Bregdetare kapin peshkarexhen italiane



Marinarët shqiptarë kanë zënë dje në “rrjetë” një anije peshkimi italiane, ndërsa po peshkonte në ujërat territoriale të vendit tonë. Lajmi është bërë i ditur mbrëmë nga burime të sigurta pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Aksioni ishte paralajmëruar që dy ditë më parë, fill pas këmbënguljes së peshkatarëve italianë që kapnin peshkun në ujërat shqiptare me të njëjtën qetësi sikur të ishin në bregdetin italian. Roja Bregdetare e Forcave të Armatosura Shqiptare, pas një operacioni të plotë arriti të kapë peshkarexhen italiane. Sipas Ministrisë sonë të Mbrojtjes, lundrimi i kësaj anije është bërë në kundërshtim me ligjin, i cili nuk lejon anije të vendeve të tjera që të peshkojnë në ujërat territoriale të një vendi pa leje të posaçme prej autoriteteve. Përgjatë aksionit ka pasur vështirësi dhe mësohet se fillimisht ka pasur rezistencë prej italianëve për të ndërprerë peshkimin. Por më pas, ata janë detyruar ta drejtojnë anijen e tyre sipas urdhrave të ushtarakëve shqiptarë në drejtim të qytetit të Vlorës. Pas disa orësh, Rojat Bregdetare kanë arritur ta ankorojnë peshkarexhën italiane në portin e ri të Vlorës, ndërkohë që njoftuan të gjithë strukturat, pasi do të ndërmarrin masat duke nisur që nga gjoba, sekuestrimi etj., të gjitha këto të parashikuar nga ligjet shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare. Deri pak javë më parë, ujërat shqiptare ndër të tjera janë patrulluar edhe nga misione të marinës italiane, të cilat përveçse asistonin rojet bregdetare shqiptare, ndihmonin edhe në navigimin e bregdetit për të ndaluar ngarkesa të mundshme me emigrantë. Kjo është hera e parë që një peshkarexhe italiane kapet prej shqiptarëve dhe ndoshta edhe aksioni i parë i këtij lloji i marinarëve shqiptarë që prej vitit 1997, kur flota pësoi dëme të rënda.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›