E Diel, 1 Nëntor 2026

Si zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese?

SUPLEMENT 

A zbatohen vendimet e Gjykatës  Kushtetuese? Kjo mund të duket një pyetje pa sens në shikim të parë dhe për ekspertët e lëndës kushtetuese, por në të vërtetë nuk është. Zhvillimi i demokracisë shqiptare ka prodhuar konfliktet e para dhe të rënda midis institucioneve kryesore; qytetarët gjithnjë e më shumë po i drejtohen kësaj Gjykate për të mbrojtur të drejtat e tyre kushtetuese. Një pjesë e mirë e këtyre cështjeve ka pasur jehonë të madhe publike për shkak të shndërrimit të tyre në bukë të përditshme për politikën. Kështu që vëmendja e dy organizimeve të shoqërisë civile, Qendra Millennium Club dhe ajo për Studime Parlamentare me të drejtë u përqëndrua në rezultatin e këtyre procedimeve kushtetuese: si zbatohen vendimet e kësaj Gjykate. Fondacioni Soros e mbështeti këtë iniciativë e cila përfshinte kërkime, anketa, takime të nivelit të lartë me praninë e kryetarit të Gjykatës kushtetuese, emisione televizive, takim me grupet e interesit të prekura nga vendimet etj. Janë disa prej vendimeve që krijuan njëlloj pështjellimi në publik: shkarkimet e prokurorëve të përgjithshëm Rakipi dhe Sollaku, vendimi për prishjen e ndërtimit të mbikalimit të Zogut të Zi, vendime për largim nga puna të disa gjyqtarëve, të gjitha vendime për të cilat është shprehur dhe Gjykata kushtetuese. Në suplementin që ju ftoheni të lexoheni, i destinuar jo thjesht për lexuesin e specializuar, por dhe për studentë të së drejtës, apo grupe të interesit, të prekura nga vendime të kësaj gjykate bëhet njëlloj historiku i këtyre praktikave kushtetuese. Por jo vetëm: ofrohet një sintezë e legjislacionit që rregullon veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, ofrohet një shikim krahasues i praktikës sonë me modele perëndimore dhe të vendeve ish-komuniste dhe ofrohen disa perspektiva për përmirësimin e veprimtarisë së kësaj Gjykate nga këndvështrimi i zbatueshmërisë së vendimeve të saj. Eshtë një këndvështrim i veçantë për një moment të rëndësishëm të funksionimit të kësaj Gjykate. Ndoshta dikush, vendimmarrës apo ekspert mund të fillojë e të mendojë nëse ky moment duhet të rregullohet me një ligj të veçantë apo zakoni, kuadri ligjor ekzistues është i mjaftueshëm. Gjithsesi materialet që vijojnë ofrojnë një kuadër interesant idesh, faktesh dhe praktikash për një institucion që në Shqipëri ka një eksperiencë të shkurtër jetësore që fillon në vitet e para të tranzicionit në vend.

Modeli shqiptar përballë modeleve ndërkombëtare

Aktiviteti i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare është më i panjohuri nga publiku i gjerë nëse krahasohet me aktivitetet e organeve të tjerë kushtetues, si Parlamenti, Pushteti Gjyqësor, apo Qeveria. Ndërkaq, kohët e fundit ka pasur shumë debate mbi problematikën e moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe në këto debate, të cilat kanë pasur si protagonistë politikanë, gjykatës dhe juristë, është tentuar të analizohen apo të zgjidhen këto probleme.
Duke marrë shkas nga aktualiteti i kësaj problematike janë analizuar dhe është tentuar të evidentohen elementët karakterizues të kontrollit kushtetues shqiptar, si dhe të sistemeve të kontrollit kushtetues më të rëndësishëm në botë.
Ekzistojnë dy sisteme kryesorë kontrolli kushtetues; sistemi SHBA dhe sistemi europian. Sistemi SHBA është më i vjetër, dhe si rrjedhojë, më i konsoliduar se ai europian. Kushtetuta e Austrisë, e cila i përket sistemit Europian, është e para në botë që ka rregulluar me ligj1 kontrollin e kushtetutshmërisë nga ana e gjyqësorit me një organ të veçantë dhe kjo risi u ndoq si shembull nga vendet e tjerë eurpiane.
Duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku gjejmë një kontroll të shpërndarë legjitimiteti kushtetues në të cilin çdo gjykatës mund të mos aplikojë një ligj apo një akt tjetër ligjor, nëse mendon se është antikushtetues. Kjo veçori e sistemit të SHBA është më themelorja por midis dy sistemeve ka dhe shumë ndryshime të tjera, duke qenë se sistemi SHBA është i bazuar në Common Law ndërsa sistemi europian – përveç Anglisë – në Civil Law.
Vazhdojmë me sistemin europian i cili ndahet në: modelin Francez, që parashikon një kontroll paraprak, ku ligji i sapo votuar nga parlamenti, para se të hyjë në fuqi, në rast kërkese nga subjektet dhe personat e autorizuar, i vërtetohet kushtetutshmëria; dhe modelin Gjerman, që parashikon një kontroll a posteriori, kjo do të thotë kontroll pas hyrjes në fuqi të ligjit. Modeli Gjerman është marrë si shembull dhe nga Shqipëria. Por kemi edhe rastin e Hungarisë, në sistemin e kontrollit kushtetues të së cilës, parashikohen të dy tipet e kontrolleve, paraprak dhe a posteriori, dhe për më shumë mundësinë e vendimeve të Gjykatës kushtetuese në rast inercie të parlamentit, pra Hungaria paraqet elementë të të dy modeleve. Përveç këtyre ndarjeve thelbësore, shumë shtete lindorë apo perëndimorë kanë bërë disa ndryshime ndaj modeleve kryesorë. Në Hungari dhe Bullgari vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtarë, ndërsa ne Rumani dhe Poloni Parlamenti ka mundësi t’i injorojë këto vendime me dy të tretat e votave. Ky quorum apo shumicë e kualifikuar votash, është i vlefshëm dhe për ndryshimet kushtetuese. Ky lloj votimi në Parlament është mbrojtur nga stiluesit e ligjit me arsyetimin se me këtë shumicë mund të ndryshohet dhe kushtetuta në të cilën bazohen vendimet e gjykatës kushtetuese dhe është në mbrojtje të kësaj të fundit.
Më poshtë janë analizuar raste të vendimeve në disa shtete, gjykatat kushtetuese e të cilëve janë konsideruar si fuqiplotë në Europën Perëndimore siç janë Gjermania, Italia, Spanja dhe Portugalia2. Për të evituar keqkuptime më duhet të qartësoj se kjo analizë nuk ka si konkluzion gjetjen e problemeve që duhet të na ngushëllojnë dhe të na justifikojnë, por qëllimi i saj është për dhënien e një doze të shëndetshme optimizmi – sepse problemet ekzistojnë në të gjithë botën – thjesht duhen zgjidhur duke marrë si shembull këto vende dhe duke i aplikuar këto zgjidhje me ndryshimet apo përshtatjet e duhura për realitetin shqiptar.
1 në vitin 1920
2 Stone Sweet 2000

Gjykata Kushtetuese: Pse mund të ankohesh?
Roli i Gjykatës Kushtetuese Shqiptare
Gjykata Kushtetuese nuk është një gjykatë e zakonshme në procedimet civile, penale, apo administrative. Pushteti i saj ekskluziv është të marrë në shqyrtim e të vendosë lidhur me çështjet e së drejtës kushtetuese. Duke bërë këtë, Gjykata parandalon tre pushtetet e shtetit; Qeverinë, Parlamentin dhe Pushtetin Gjyqësor, të shkelin Kushtetutën. Juridiksioni i saj kufizohet në interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe shpesh kjo Gjykatë quhet “roja”, apo “gardiani suprem i ligjit themelor”. (neni 124 i Kushtetutës).

Kompetencat
Kompetencat e Gjykatës Kushtetuese janë përcaktuar në nenin 131 të Kushtetutës së RSH, ku përcaktohet se ajo vendos për: a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet në nenin 122; b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre; c) pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare; d) mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore; e) kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të kësaj Kushtetute; f) shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij; g) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre; h) kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij; i) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i përdorë kompetencat e saj me diskrecionalitet. Ajo mund ta ushtrojë këtë pushtet vetëm nëse i është paraqitur një çështje në mënyrën të rregullt.

Instrumentet e shqyrtimit gjyqësor
a) Grupi i parë i çështjeve është kërkesa për pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose marrëveshjet ndërkombëtare (Neni 131/a), e ashtuquajtur “Shqyrtim konkret gjyqësor”, e cila ngrihet nga një proces i zakonshëm gjyqësor. Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast ata pezullojnë gjykimin, dhe çështjen i dërgojnë Gjykatës Kushtetuese, vendimet e së cilës janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat (Neni 145/2 i Kushtetutës). Pra Gjykata Kushtetuese është e vetmja gjykatë e cila është e veshur me pushtetin e shpalljes së një ligji jo-kushtetues.

Për periudhën 2002-2007, kërkesat e paraqitura nga gjykata të cilat janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese numërohet të jenë 6.

b) Nga ana tjetër, i ashtuquajturi “shqyrtimi abstrakt gjyqësor” nuk buron nga procedimet gjyqësore. Ai fillon me kërkesën e Organeve të qeverisjes vendore, Presidentit të Republikës, Kryeministrit, jo më pak se një të pestës së deputetëve, Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokatit të Popullit, organeve të bashkësive fetare, partive politike dhe organizatave të tjera (Neni 134/a/b/c/ç/dh/e/ë/f). Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese pyetet mbi diskutimet apo dyshimet që ngrihen lidhur me pajtueshmërinë e një ligji me Kushtetutën.
Ndërsa Gjykata Kushtetuese mund të refuzojë të vendosë lidhur me një rast “të shqyrtimit konkret gjyqësor”, me arsyetimin se nuk janë paraqitur shkaqe të mjaftueshme lidhur me anti-kushtetutshmërinë e një ligji të caktuar, ose sepse Gjykata Kushtetuese shikon se vendimi lidhur me atë çështje, jo domosdoshmërisht varet nga ajo, në rastin e një shqyrtimi abstrakt nuk ka “rrugëdalje”. Këtu, Gjykata Kushtetuese duhet të japë një opinion, i cili është detyrues për çdo organ shtetëror, duke përfshirë dhe legjislativin. Pas paraqitjes së kërkesës, pala e cila ka filluar procedurat nuk ka më fuqinë ta tërheqë atë. Gjykata do ta analizojë ligjin në fjalë nga çdo aspekt kushtetues, dhe nuk është e kufizuar nga kundërshtimet apo vërejtjet e palëve.

Ankesa
c) Instrumenti tjetër i kontrollit të Gjykatës Kushtetuese, që është i rëndësishëm për marrëdhëniet me Gjykatat e tjera, dhe që zë pjesën më të madhe të punës, është ankesa kushtetuese: Pasi kanë përdorur të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e të drejtave, individët të cilët mendojnë se “një autoritet publik” u ka cenuar të drejtat e tyre kushtetuese, mund të ankohen për një gjykim përfundimtar në Gjykatën Kushtetuese. “Autoriteti publik” nënkupton vendimet gjyqësore, aktet administrative dhe legjislative.
Ankesa kushtetuese është një mjet i jashtëzakonshëm që i vihet në dispozicion individëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore.

Shumica e këtyre ankimeve drejtohen kundër vendimeve të gjykatave. Gjykata kushtetuese kufizohet në shqyrtimin kushtetues të tyre. Zakonisht, ankuesit pretendojnë se nga gjykatat është ndjekur një proces jo i rregullt ligjor. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese shqyrton vetëm nëse gjykata që ka gjykuar çështjen, ka shkelur të drejtat themelore të pretenduesit.
Nëse Gjykata Kushtetuese vendos se gjykata e zakonshme ka aplikuar një ligj të vlefshëm, por në një mënyrë jo kushtetuese, ajo e kthen vendimin dhe çështjen ia dërgon për rigjykim gjykatës kompetente.

Ekzekutimi i vendimeve

Ekzekutimi i vendimeve që lidhen me një shqyrtim abstrakt dhe konkret gjyqësor dhe i ankimeve kushtetuese
Në këto raste Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse një ligj, vendimi i një gjykate më të ulët, ose një akt administrativ, është antikushtetues ose jo. Nëse Gjykata Kushtetuese e shpall një ligj antikushtetues, ai është nul dhe i pavlefshëm. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos se, një akt është në kontradiktë me kushtetutën, akti nuk mund të zbatohet më nga ndonjë gjykatë apo autoritet publik.
Nëse një ligj është deklaruar nul ose i pavlefshëm, vendimet e gjykatës Kushtetuese do të kenë fuqinë e ligjit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që ka shfuqizuar një ligj apo akt normativ, si të papajtueshëm me Kushtetutën ose marrëveshjet ndërkombëtare, si rregull sjell efekte juridike nga data e hyrjes së tij në fuqi (Neni 76/1 i ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese).
Fakti se, një dispozitë, e cila është shpallur antikushtetuese, nuk mund të zbatohet më, nuk do të thotë se vendimet e kaluara (dhe përfundimtare) janë gjithashtu nul ose që mund të kundërshtohen sërish. Sipas nenit 76/2 të Ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimi ka fuqi prapavepruese vetëm: a) ndaj një dënimi penal edhe gjatë kohës që është në ekzekutim, nëse ai lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e ligjit ose të aktit normativ të shfuqizuar; b) ndaj çështjeve që shqyrtohen nga gjykatat, derisa vendimet e tyre nuk kanë marrë formë të prerë; c) ndaj pasojave ende të paezauruara të ligjit apo aktit normativ të shfuqizuar.

Evropa, shikim krahasues nga Lindja në Perëndim

 Rusia
Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik janë vënë re përplasje të vazhdueshme ndërmjet Moskës dhe disa Qeverive rajonale, lidhur me autonominë e këtyre të fundit nga pushteti qendror. Gjykata kushtetuese Ruse në këtë periudhë ka pasur probleme me “moszbatimin e vazhdueshëm dhe vonesa të shpeshta në zbatimin e vendimeve të saj nga autoritetet federale dhe rajonale”1. Në këto përplasje, Gjykata u bë një aleat i vlefshëm i qeverisë qendrore, duke rrëzuar pretendimet rajonale në shumicën e rasteve. Nga ana tjetër, qeveritë rajonale i injoronin këto vendime, madje duke refuzuar publikimin e vendimeve të Gjykatës. Si reagim ndaj kësaj dukurie, në fund të vitit 2001 Presidenti Putin propozoi dhe bëri të mundur miratimin në Duma të një statuti të ri, që përcaktonte afate të caktuara lidhur me zbatimin e vendimeve të Gjykatës kushtetuese. Sidoqoftë, sipas këtij ligji, sanksionet ishin vetëm për qeveritë rajonale që nuk zbatonin në kohë vendimet, ndërsa Institucionet federale ishin të përjashtuara2.

Hungaria
Por duhet pasur kujdes, se jo në të gjithë vendet problemet janë të njëjta. Hungaria për shembull, ka pasur problemin e kundërt: një ndërhyrje shumë të theksuar të Gjykatës Kushtetuese në procesin legjislativ, duke sfiduar kështu kompetencat e Parlamentit.
Pas rënies së regjimit socialist, Hungaria vendosi një Gjykatë kushtetuese të fuqishme, e cila doli nga tryezat e rrumbullakëta të socialistëve me opozitën. E pajisur me një juridiksion të gjerë dhe mundësi aksesi nga qytetarët e thjeshtë, nën drejtimin e Laszlo Solyom, ajo filloi të sfidonte pushtetin legjislativ. Si rrjedhojë, legjislativi u detyrua të formojë një legjislacion të ri. Duke qenë se aksesi në Gjykatë ishte shumë i lehtë, në përgjithësi, të gjitha problemet ligjore dhe politike të tranzicionit përfunduan në Gjykatë Kushtetuese. Në kulmin e punës, një ligj në tre u deklarua i pavlefshëm nga Gjykata.
Pavarësisht kritikave dhe skepticizmit të qeverisë dhe parlamentit kundrejt Gjykatës Kushtetuese, të gjitha vendimet e kësaj të fundit u zbatuan, dhe nuk u bë asnjë përpjekje për të kufizuar kompetencat e Gjykatës, si në teori ashtu dhe në praktikë. Ky mund të konsiderohet pa frikë një rast unik, pasi nuk ka ndodhur në asnjë prej vendeve të tjera të Lindjes dhe të ish-bllokut sovjetik. Disa komentatorë e kanë quajtur sistemin politik pas ndryshimit të regjimit si “gjykatokraci3”.

Italia
Italia ka një sistem kontrolli kushtetues shumë të ngjashëm me kontrollin kushtetues shqiptar, por ka disa elementë të tjerë të cilët janë: një kulturë e konsoliduar juridike dhe gjykatës kushtetues me famë ndërkombëtare; pavarësi të plotë nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ; bashkëpunim të mirëfilltë midis Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera, si dhe elementë te tjerë.

SHBA
Sistemi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është me më pak konflikte midis pushteteve por gjithsesi dhe duke qenë sistemi më i mirë  ka patur në të shkuarën probleme. 

Në historinë e SHBA-së, maxhoranca në pushtet e ka sfiduar tre herë në mënyrë plateale pushtetin dhe pavarësinë e Gjykatës Supreme si institucion:
1805 – Mosbesimi i Ndjekjes Gjyqësore
1868 – U propozua ligji për kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Supreme
Plani “Court-packing” i Franklin Roosvelt në vitin 1937.

Këto probleme janë larg në kohë, dhe asnjëherë Presidenti i SHBA apo Kongresi nuk kanë arritur të anashkalojnë Gjykatën Supreme, si atëherë ashtu dhe më vonë.

Gjendja në EVropën Lindore
Bela Prokol, kritiku kryesor i Gjykatës kushtetuese hungareze, e ka vënë në diskutim autoritetin e kësaj të fundit. Sipas tij, nuk mund të vendoset për çështjet politike në bazë të parimeve “super abstrakte” si “siguria ligjore”1. Argumenti i Prokol është parimor, dhe nuk varet nga ajo që vendos Gjykata. Ai arsyeton që, një trup jo i zgjedhur demokratikisht nuk ka të drejtë të diskutojë çështje politike thelbësore në emër të parimeve abstrakte të kushtetutës.
Në të njëjtën note, juristi dhe eksperti kushtetues, Stephen Holmes, ka kritikuar aktivitetin e gjykatave kushtetuese “më prestigjioze” të Evropës Lindore. Ai ka paralajmëruar për dobësimin e parlamenteve të ligjshëm dhe demokratik në emër të stabilitetit kushtetues. Holmes i kritikon gjykatat kushtetuese të Europës lindore që shikojnë si udhërrëfyes aktivizmin “Kantian” të të drejtave bazë të Gjykatës kushtetuese gjermane të pas luftës.
“Problemi”, që Gjykata kushtetuese ndërhyn në procesin demokratik dhe legjislativ, pa qenë e zgjedhur nga populli, ndihet më shumë në vendet e Evropës Lindore. Arsyet e lindjes së tij janë disa. Dy më thelbësoret prej tyre janë si më poshtë përmendur:
- pasi nuk kanë një nocion të qartë të legjitimitetit elektoral, i cili është në zhvillim.
- sepse shumë nga parlamentarët kanë një të shkuar të bazuar në periudhën komuniste, dhe nuk e shohin Gjykatën Kushtetuese si institucion demokratik. Si rrjedhojë, nëse gjykatat kushtetuese kanë kompetenca të shumta dhe i ushtrojnë ato, perceptohet si një kufizim i përfaqësimit demokratik.

1 Prokol, 1994

Argumentet në favor të Gjykatave Kushtetuese të fuqishme

1) Duke përdorur dispozicione ligjore strukturale dhe rregulla procedurale mund të rritet paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese dhe të limitohet ndërhyrja në procesin legjislativ.

2) Kontrolli kushtetues, duke mbrojtur të drejtat themelore, përmirëson cilësinë e demokracisë në procesin politik.

Ja disa rrugë për përmirësimin e gjykimit kushtetues

Erion Manohasa

KONKLUZIONE

Gjatë kërkimeve për kryerjen e kësaj pune ka pasur një përqendrim tek zgjidhjet politike dhe legjislative, që i janë dhënë këtij fenomeni, por nuk duhet të harrojmë konstitucionalistët e mëdhenj si gjermani Max Weber, i cili ka marrë pjesë në komisionin, që hartoi Kushtetutën e Weimarit2 dhe Prof. Herman Shwarc një nga eksponentët e shkollës juridike amerikane. Duke mos pasur mundësi për listimin e të gjithë doktrinës përkatëse, e cila është burim dije dhe rekomandimesh, disa shembuj janë në kuadratin e mëposhtëm.

Strategjia më evidente për të evituar konfliktet midis Parlamentit apo Qeverisë me Gjykatën Kushtetuese është përdorja e modelit SHBA. Por, duke qenë se vendet e Evropës Lindore po ndjekin modelin evropian, në një farë mënyre të “detyruar” nga perspektiva për të hyrë në BE është shumë e vështirë që ta braktisin këtë model.
Por, duke kaluar te sistemi evropian mund të shohim, se revizioni abstrakt është më demokratik se revizioni konkret, sepse në të parin Gjykata Kushtetuese ushtron një aktivitet gjyqësor, kurse në të dytin ka më shumë probabilitet për ndërhyrje në politikë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Revizioni abstrakt paraprak është më antidemokratik se revizioni abstrakt në momentin kur ligji ka hyrë në fuqi;
1) sepse revizioni paraprak zhvillohet përpara se të analizohet aplikimi ligjit në praktik (vendimet zbatuese, udhëzimet etj.)
2) sepse në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese merr pjesë në diskutimet në Parlament përpara se të mbarojë procesi legjislativ.
3) ka më shumë mundësi për abuzime nga ana e minorancës se sa në rastin e revizionit a posteriori. (si rasti i Spanjës, e cila ne vitin 1989, me një revizion kushtetues, kaloi nga revizioni paraprak në atë a posteriori)

Mosbesimi i pushtetit politik kundrejt gjykatave Kushtetuese ka ekzistuar gjithmonë, sidomos në vitet e para të funksionimit të këtyre të fundit. Ky mosbesim vazhdon të ekzistojë në formën e ngadalësisë në zbatimin e vendimeve dhe të sugjerimeve të Gjykatës Kushtetuese. Por duke marrë mësim nga eksperiencat e vendeve perëndimore, Gjykata duhet të kalojë vështirësitë fillestare duke ndjekur disa rrugë:

1) Duhet të fitojë besimin e të gjithë trupit gjyqësor, dhe të bëjë të vlejë përpara pushtetit politik forcën e pushtetit gjyqësor.

2) Të kërkojë të përdorë vendime “manipuluese”, të cilat si rrjedhojë e zbatimit të këtyre vendimeve nga gjykatat, bën të arrihen rezultate të barabarta me atë të riformulimit legjislativ të ligjit.

Ndërsa në rast moszbatimi të përsëritur, të përdoren kërkesa për dëmshpërblim nga të dëmtuarit nga ky mosveprim për moskryerje të akteve dhe detyrave të atribuara me ligj, të cilat, nëse arrijnë shifra të konsiderueshme, janë një presion i fortë ndaj Qeverisë apo pushteteve vendore.

2 Kushtetuta e Shtetit gjerman midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
3 Lipset, 1959:68
4 Max Weber, 1980:16
5 Prof. Herman Shvarc, Shkolla Juridike amerikane
6  Prof. Herman Shvarc, Shkolla Juridike amerikane

shembuj moszbatimi vendimesh

Itali

Në nëntor të vitit 2002, Gjykata Kushtetuese italiane, me vendimin nr. 466/2002 vendos që asnjë person apo shoqëri nuk mund të posedojë apo të ketë nën kontroll me shumë se dy frekuenca televizive, dhe stacionet e tepërta – në këtë rast kanali televiziv Rete4 i grupit Mediaset në pronësi të Kryeministrit Italian Silvio Berlusconi si dhe kanali televiziv Raitre, një nga tre kanalet shtetërorë italian – duhet të ndërpresin transmetimin tokësor. Gjykata fiksoi një datë e cila nuk mund të shtyhej, duke vendosur që brenda 31 dhjetorit 2003 Rete4  dhe Raitre duhet të vazhdonin transmetimet në satelit dhe jo më transmetimet tokësore. Në verën e vitit 2003 ministri i Telekomunikacioneve Maurizio Gasparri prezanton një projekt-ligj për reformimin e sistemit radio-televiziv italian. Ky ligj – i njohur si ligji “Gasparri” – u aprovua nga Parlamenti në dhjetor 2003 dhe i lejoi Rete4 dhe Raitre vazhdimin e transmetimit tokësor. Presidenti i Republikës, Carlo Azeglio Ciampi, refuzoi të firmosë ligjin, dhe ia ktheu për rishqyrtim Parlamentit. Në këtë pikë, qeveria Berlusconi nxjerr një dekret-ligj – i njohur si dekreti “shpëto Rete4” , i cili, sipas legjislacionit italian, është në fuqi për gjashtë muaj dhe shfuqizohet në rastin kur nuk aprovohet nga Parlamenti. Ligji Gasparri u aprovua në mënyrë definitive në prill 2004, pa marrë aspak në konsideratë vendimin 466/2002 të Gjykatës kushtetuese.
gjermani

Edhe pse në Kushtetutën e Gjermanisë vendimet e Gjykatës Kushtetuese gjermane janë të detyrueshëm, dhe në pjesën dërrmuese të tyre zbatohen, ka pasur disa raste kur nuk janë zbatuar ose është vonuar qëllimisht zbatimi. Si për shembull, Vendimi nr. BVerfGE 93, I,  me të cilin u shfuqizua neni 13, seksioni 1 i rregullores shkollore për shkollat fillore në Bavari, detyronte vendosjen e kryqeve në klasa, pasi ishte në kundërshtim me nenin 4 seksioni 1 të Ligjit Themeltar Gjerman, që rregullon lirinë e besimit fetar si dhe lirinë negative në të cilën thuhet, se çdo person është i lirë të jetë ateist, pra të mos besojë në asnjë kult fetar. Si reagim ndaj këtij vendimi, Parlamenti bavarez miratoi një korrektim të rregullores shkollore, por ky ishte thjesht një formalitet, pasi teksti i ri bënte vetëm një lojë fjalësh dhe kuptimi ishte i njëjtë me tekstin e shfuqizuar. Në një intervistë të dhënë në një kanal televiziv kombëtar, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese deklaroi se ka më shumë kryqe në klasa pas, se sa përpara vendimit të Gjykatës.
Që të mos biem në përsëritje, mund të thuhet se, për Gjermaninë vlejnë argumentet e përdorura për Italinë, pasi situata në të dy vendet është e ngjashme si për sa i përket Kushtetutës si dhe elementëve të tjerë përveçse, sipas doktrinës respektive të të dy vendeve, në Itali ishin interesat personale të kryeministrit, të cilat penguan zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në Gjermani ishte opinioni publik pengesa apo shkaku kryesor i moszbatimit të vendimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›