Meta: Rama kërkon të plotësojë kapriçot individuale
04/06/2010 Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka kërkuar nga kreu i opozitës Edi Rama që të qëndrojë larg ultimatumeve dhe të mos bëjë kërkesa të pakuptimta në lidhje me përpjekjet për kapërcimin e ngërçit politik. Shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar se takimi i datës 20 maj në Strasburg mes kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme që janë bërë dhe bëhen nga përfaqësues të Parlamentit Evropian apo të komunitetit ndërkombëtar. “Këto përpjekje do të vijojnë dhe njëkohësisht së bashku me to do të rritet edhe përgjegjësia për të vendosur një dialog politik të qëndrueshëm, larg kushteve dhe ultimatumeve të panevojshme, të cilat më shumë sesa përparimin e dialogut politik synojnë realizimin e kapriçove individuale, që nuk tregojnë as pjekuri politike, as përgjegjshmëri politike dhe as vendosje të interesave të vendit dhe të integrimit evropian, që është një interes kombëtar për gjithë qytetarët shqiptarë, pikërisht në vendin e parë”, - ka deklaruar Meta. I pyetur në lidhje me ndikimet që mund të ketë konflikti politik mbi vendimin për liberalizimin e vizave, ai u shpreh se është e nevojshme të hiqet dorë nga “ndikime dhe qëndrime tekanjoze, të cilat janë jashtë logjikës së dialogut dhe frymës së një zgjidhjeje demokratike dhe konstruktive”. Numri dy i qeverisë ka nënvizuar se Kushtetuta e Shqipërisë, Kodi Elektoral dhe i gjithë legjislacioni u jep zgjidhje dhe përgjigje të gjitha pretendimeve të lidershipit të opozitës. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, një ditë pas samitit të Sarajevës, ministri Meta e ka vlerësuar si historike mbështetjen e hapur për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Sipas tij, vendimi është tërësisht e bazuar mbi kritere dhe standarde konkrete dhe teknike