E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta Ramës: “Të bashkojmë firmat për referendumin”

Kryetari i LSI, Ilir Meta, i ka dërguar një letër Kryetarit të PS-së, Edi Rama, ku i kërkon të bashkojë firmat e deputetëve socialistë me LSI për referendumin.

Aristir Lumezi

“Le ta nisim ‘Bashkimin e ri’, z. Rama, me bashkimin e firmave të deputetëve tuaj me kërkesën tonë për organizimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese! Kjo thirrje edhe mund t’ju vërë në vështirësi, marrë në konsideratë rolin tuaj në këtë zhvillim, por nëse qetësisht vlerësoni çfarë ka ndodhur dhe se çfarë ne kërkojmë, atëherë me siguri nuk ka asnjë arsye parimore për ta kundërshtuar”, thuhet në këtë letër. Meta shprehet se vetëm populli mund të ndryshojë Kushtetutën që e votoi vetë me referendum në vitin 1998. “Le të vendosë populli, nëse pranon që Kushtetuta e vendit të tij të ndryshojë - sipas deklarimit të vetë Kryeministrit Berisha, në 70% të saj, në kulisa, brenda 3 orëve, me një procedurë të paprecedentë dhe ilegjitime, që s’përfilli askënd, përveç llogarive për numrat e deputetëve të kapur dhe ‘hallexhinj’”.
Sipas Metës, “në rast se ribashkimi ‘PS-LSI ka të bëjë me koordinimin e veprimit opozitar, për të larguar kryeministrin, le t’ia nisim urgjent, që sot pa humbur asnjë minutë. Le të bashkohemi një orë e më parë, për të ndrequr atë që ju shkatërruat, nga naiviteti, moskuptimi apo shantazhi, në një përpjekje të paprecedent në historinë e pluralizmit politik”. Kryetari i LSI-së, duke komentuar thirrjen e Ramës për “bashkimin e ri”, i kujton atij t’i rikthehet asaj që kanë firmosur dy vjet më parë të gjithë kryetarët e partive opozitare, kur nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit mes tyre, pika të cilat janë shkelur krejtësisht nga selia rozë. “Mos po na thërrisni në këtë sezon të ri bashkëpunimi, që të përmbushim edhe çështjet e tjera të axhendës opozitare, përveç zgjedhjes së presidentit, që me votat e partisë që drejtoni u mor nga Berisha, zgjedhjeve të parakohshme që nuk u realizuan kurrë, e reformës zgjedhore, që ju e bëtë përsëri vetëm me Berishën, çështje për të cilat kishim nënshkruar një “marrëveshje historike” të vitit 2006, që ju e keni cilësuar si “më të qenësishmen e politikes së re”? Apo, po na thërrisni për të koordinuar veprimin opozitar, për të larguar kryeministrin e korruptuar të Gërdecit, por këtë herë jo me protesta pa zë?”, shprehet Meta në letrën e tij. Kreu i LSI-së shprehet i gatshëm që të nisë urgjentisht punën nga konkretizimi i atyre pikave që kanë rënë dakord të gjithë bashkë dy vjet më parë. “Nëse është kjo e fundit, le t’ia nisim urgjent, që sot, pa humbur asnjë minutë dhe, më së pari me mbrojtjen e Kushtetutës së shembur e të përçudnuar në natën e errët të 21 prillit, në tradhti të plotë nga 115 deputetë, të cilët përbaltën vullnetin e një milion shqiptarëve që e votuan atë në vitin 1998. Le të bashkohemi një orë e më parë, për të ndrequr atë që ju shkatërruat, nga naiviteti, moskuptimi apo shantazhi, së bashku me Sali Berishën, në një përpjekje të paprecedent në historinë e pluralizmit politik”, shprehet Meta.

letra

Zotit Edi Rama
Kryetar i Partisë Socialiste
 Zoti Rama,
Me shume interes, kam përcjellë këto ditet e fundit rikthimin tuaj tek ftesat për një bashkim të ri.
 Këto janë vërtet përpjekje të lavdërueshme, por që, për fat të keq, kanë dhe shumë pika të errëta, të cilat mund dhe duhet t’i qartesoni, për ne e për opinionin publik shqiptar, ju e askush tjetër.
 Unë do t’ju pyesja: Mos po na thërrisni në këtë sezon të ri bashkëpunimi, që të përmbushim edhe çështjet e tjera të axhendës opozitare, përveç zgjedhjes së presidentit që me votat e partisë që drejtoni u mor nga Berisha, zgjedhjeve të parakohshme që nuk u realizuan kurrë, e reformes zgjedhore, që ju e bëtë përsëri vetëm me Berishën,  çështje për të cilat kishim nënshkruar një “marrëveshje historike”, të vitit 2006, që ju e keni cilësuar si “më të qënësishmen e politikes së re”?
 Apo, po na thërrisni për të koordinuar veprimin opozitar, për të larguar kryeministrin e korruptuar të Gërdecit, por këtë herë jo me protesta pa zë?
 Nëse është kjo e fundit, le t’ja nisim urgjent, që sot, pa humbur asnjë minutë, dhe më së pari me mbrojtjen e Kushtetutës së shembur e të përçudnuar në natën e errët të 21 prillit, në tradhëti të plotë nga 115 deputetë, të cilët përbaltën vullnetin e një milion shqiptarëve që e votuan atë në vitin 1998.
 Le të bashkohemi një orë e më parë, për të ndrequr atë që ju shkatërruat, nga naiviteti, moskuptimi apo shantazhi, së bashku me Sali Berishën, në një përpjekje të paprecedent në historinë e pluralizmit politik.
 Ne kemi rastin të materializojmë “Bashkimin e ri” që po kërkoni ju, në një inisiative konkrete, idealisht të denjë për çdo mision opozitar:
Për t’i kërkuar përsëri popullit shqiptar të vendosë ai dhe vetëm ai për ligjin themeltar të shtetit.
 Le ta nisim “Bashkimin e ri”, Z. Rama, me bashkimin e firmave të deputetëve tuaj me kërkesën tonë për organizimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese!
 Kjo thirrje edhe mund t’ju verë në vështiresi, marrë në konsideratë rolin tuaj në këtë zhvillim, por nëse qetesisht vleresoni çfarë ka ndodhur dhe se çfarë ne  kërkojmë, atëherë me siguri, nuk ka asnjë arsye parimore për ta kundërshtuar.
 Ne kërkojmë thjesht dhe vetem t’i japim demokracisë dhe qytetarëve një mundësi më shumë.
 Ne kërkojmë që aleatet tanë të mundshëm të së nesermës, të paktën, të pastrojnë ndërgjegjet e vrara e t’i kthejne popullit të drejtën me të ligjshme, atë të votes, t’i japin popullit të drejten të shprehet për Kushtetutën e tij.
 Le të vendosë populli, nëse pranon që Kushtetuta e vendit te tij të ndryshojë - sipas deklarimit të vetë Kryeministrit Berisha, në 70% të saj, në kulisa, brenda 3 orëve, me një procedurë të papreçedente dhe ilegjitime, që s’përfilli askend, përveç llogarive për numrat e deputetëve të kapur dhe “hallexhinj”.
 Le të vendosë populli, nëse pranon, që Kushtetuta e vendit të tij të jetë e kundërta e asaj që fitoi në referendumin e vitit 1998, të përmbyset me qellimin e vetëm për të çimentuar pushtetin e Kryeministrit Berisha përmes ndryshimit të neneve 104 e 105 lidhur me mocionin e besimit e mosbesimit të kryeministrit, nëpërmjet të cilëve parlamenti humbet kontrollin ndaj kryeministrit, dhe me ndryshimet që ju keni bërë, Kryeministri bëhet i paprekshem, i pandryshueshëm, dhe jo vetem kaq, por mban në çdo moment nën shantazh parlamentin, duke kërcënuar me shpërndarjen e tij.
 Duke i shtuar këtyre ndryshimeve edhe sistemin zgjedhor të listave të mbyllura, si edhe ndryshimin e zgjedhjes se Presidentit të Republikës me një shumicë të thjeshtë partiake, ju i jepni mundësinë Sali Berishës, jo vetëm të gëzojë shkatërrimin e të gjithë sistemit demokratik të kontrollit e të balancës që kishte Kushtetuta e vitit 1998, por e shndërroni atë në kontrollues të të gjitha institucioneve të shtetit, ju asgjësoni thelbin e shtetit të së drejtës dhe instaloni një shtet partiak dhe sundimin kryeministror të Sali Berishës.
 Le të vendosë populli, meqënëse ju e hoqet Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve nga Kushtetuta, nëse është dakort për ta vendosur këtë Komision nën tutelën e Ministrit të Brendshëm, siç deklaroi Berisha, e nëse është dakort, që votat t’i numërojnë partiakët fanatikë të administratës berishiane.
 Veçse nëse populli shqiptar dëshiron të çertifikojë këtë Republikë të Sali Berishës – atëherë ashtu u bëftë! Përndryshe, kërkush nuk mund ta vendosë këtë në tavolinë, as edhe ju me Sali Berishën.
 Pas kësaj, ne, të gjithë bashkë, kemi vetem një detyrë, të respektojmë me përulje, verdiktin e sovranit.
 Z. Rama,
Berisha është vërtet i egzaltuar, që ëndrrën Kushtetuese të vitit 1994 për të përqëndruar të gjithë pushtetet në duart e tij si president e realizoi tani, duke u bërë një Kryeminister i gjithë-pushtetshem, në momentin që kishte pozitat me të dobëta për shkak të krimit shtetëror të Gërdecit, ku e gjithë bota e shikon si kryefajtor.
 Ju që keni vizionin për të dialoguar me shqiptarët në çdo qytet e fshat, duke i pyetur me shqetësim edhe për kastravecin e lulelakrën, besoj se nuk do t’u mohoni atyre të drejtën që të shprehen për Kushtetutën dhe të ardhmen e tyre.
E në radhë të parë, nuk besoj se këtë të drejte do t’ua mohoni anëtarëve e simpatizanteve të Partise Socialiste e cila, meritë kryesore në këto 18 vjet pluralizem ka pikërisht bërjen e vendit me një Kushtetutë demokratike e Evropiane, përmes një referendumi mbarë-popullor.
 Duke shpresuar në reflektimin tuaj,
 Sinqerisht,
 Ilir META
Kryetar i LSI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›