E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilt: “Aplikimi i Shqipërisë nuk gëzon mbështetjen e të gjithë BE-së”



Albert Gjoka

Shefi i Diplomacisë suedeze, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka dhënë sinjale pesimiste për Shqipërinë në lidhje me kërkesën e paraqitur nga qeveria për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjatë një interviste dhënë pas publikimit të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe paketës vjetore të Komisionit Europian për zgjerimin, ai ka bërë të ditur se nuk ekzistojnë të njëjtat kushte për vendin tonë, si për Maqedoninë dhe Kroacinë. Ministri i Jashtëm i Suedisë ka konstatuar se vendet europiane nuk po tregojnë të njëjtën gatishmërinë për aplikimet e bëra nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Zoti Bilt ka përmendur si sfida kryesore për qeveritë dhe institucionet e rajonit; sundimin e ligjit dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Presidenca suedeze ka tentuar që të fusë në axhendën e Këshillit të Ministrave të BE-së kërkesën e Tiranës zyrtare, por deri tani ka pasur ankesa nga vende të tilla si Gjermania. Boni e ka justifikuar qëndrimin kundër me faktin se nuk është mbledhur ende Bundestagu i ri, i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Gjithsesi, shanset janë ulur ndjeshëm që Shqipëria të marrë një përgjigje këtë vjeshtë për marrjen e statusit të vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Një gjë e tillë kuptohet edhe nga raporti i publikuar së fundi nga Komisioni Europian, ku adresohen kritika të ashpra për institucionet shqiptare, sidomos në lidhje me luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve, reformave në Gjyqësor apo çështjet e pronës. Pritjet për kërkesën e bërë varen edhe nga zhvillimet brenda eurozonës dhe sidomos nga pasojat e krizës ekonomike dhe financiare.

Duke pasur parasysh përmbajtjen e këtij raporti, si po ecën procesi i zgjerimit në këtë moment?

Siç shihet, zhvillimet rreth zgjerimit të BE-së dhe ndikimet pozitive të tyre në stabilitetin dhe zhvillimet në Europë janë të qarta. Kjo nuk po tregohet së fundi për aplikimet e Malit të Zi, Shqipërisë dhe Islandës. Në të vërtetë, rekomandimet për nisjen e bisedimeve me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe hapat në drejtim të liberalizimit të vizave për një numër shtetesh në Ballkanin Perëndimor janë shenja të qarta për qytetarët e këtyre vendeve që grupimi i BE-së jep rezultate dhe përfitime praktike.

Cilat janë sfidat dhe problemet më të mëdha që ju shihni në procesin e zgjerimit?

Standardet e kërkuara nga BE-ja për sundimin e ligjit dhe të demokracisë, funksionimin e ekonomisë së tregut dhe kapaciteti për implementimin e legjislacionit dhe rregullave të BE-së, të gjitha këto janë një sfidë e madhe. Atje mbetet shumë domethënëse puna për të gjitha vendet përpara se të arrihet qëllimi. Veçanërisht, unë dua të theksoj parimet e sundimit të ligjit, si një element thelbësor për bashkëpunimin me BE-në. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe aspirata për të zgjidhur konfliktet e dala me vendet e tjera, gjithashtu, janë çështje kyçe.

Cili është hapi tjetër në bisedimet për zgjerimin?

Unë jam shumë i gëzuar që Komisioni rekomandoi nisjen e bisedimeve me ish-RY të Maqedonisë. Kjo është një provë e përpjekjeve të mëdha të vendit për të realizuar plotësisht kushtet e kërkuara nga BE. Bisedimet e anëtarësimit me Kroacinë po hyjnë në një fazë thelbësore dhe do të jemi në gjendje t’i përfundojmë gjatë vitit 2010 nëse Kroacia mban lart ritmin e punës së reformave.

Në raportin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është theksuar gjithashtu perspektiva e anëtarësimit. Le të themi çfarë mendimi keni rreth kërkesave për Bosnjë Hercegovinën që të jetë më afër BE-së. Javën e fundit ju keni takuar udhëheqësit politikë.

Presidenca suedeze shpreson se udhëheqësit politikë në Bosnjë do të jenë në gjendje të marrin hapat e nevojshëm në mënyrë që vendi të mos qëndrojë pas vendeve të tjera në rajon, për të ecur më afër drejt BE-së.

Ambasadori Lohan: “Hetimin e zgjedhjeve e kanë në dorë vetë shqiptarët”

TIRANË - Hetimi i zgjedhjeve është në dorën e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të ftuar nga PS-ja që të firmosin këtë iniciativë ligjore. Kjo ka qenë përgjigjja e dhënë nga përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, zoti Helmut Lohan, gjatë një interviste të dhënë për TV “Vizion plus”, ku iu kërkua një opinion në lidhje me nismën më të fundit të PS-së për të paraqitur një peticion me firma për hapjen e kutive të votimit. Zoti Lohan është shprehur për Vizion Plusin edhe për konkluzionet e raportit të progresit për Shqipërinë, i publikuar dy ditë më parë nga Komisioni Europian në Bruksel.
Përfaqësuesi i BE-së në Tiranë ritheksoi edhe një herë faktin se nëse Shqipëria përmbush kushtet, mund të merret një vendim pozitiv për heqjen e vizave në mesin e vitit 2010. Ai ka komentuar edhe reformat në Drejtësi, shtyrjen apo pezullimin e çështjeve të bujshme gjyqësore, si Gërdeci apo rruga Durrës-Kukës. “Shtyrja e vazhdueshme e çështjeve të ndjeshme hedh dyshime mbi pavarësinë e Gjyqësorit”, - i tha zoti Lohan Vizion Plusit.
Ambasadori Lohan ka sqaruar edhe qëndrimin jopozitiv në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. “Konstituimi i Parlamentit gjerman ka shtyrë edhe shqyrtimin e kërkesës së bërë nga Shqipëria”, - tha përfaqësuesi i KE-së. Ai ka shtuar se ndërkombëtarët kanë pritur edhe rezultatet e zgjedhjeve dhe raportin e OSBE/ODIHR-it, i cili certifikon standardet e procesit. Intervista e plotë e ambasadorit Helmut Lohan do të publikohet sonte në mbrëmje, në orën 19:00 në emisionin “Faktori plus”.

Zëdhënësi i z. Ren për statusin: “Presim vendet e BE-së për të përgatitur opinionin për Shqipërinë”

Komisioni Europian do të përgatisë opinionin në lidhje me kërkesën që ka paraqitur Shqipëria për të marrë statusin e vendit kandidat sapo një gjë të tillë ta kërkojnë vendet anëtare të BE-së. Kjo ka qenë përgjigjja që dha dje zëdhënësi i komisionerit për Zgjerimin, gjatë një interviste dhënë për BBC-në. Amadeu Altafaj ka komentuar raportin e fundit të progresit për Shqipërinë, ku ka përcaktuar dy sfida kryesore: sundimin e ligjit dhe garantimin e funksionimit të institucioneve. Ai shtoi se “ne presim më shumë përparim”. Zëdhënësi i zotit Ren nuk ka pranuar të japë garanci për heqjen e vizave gjatë vitit 2010. Sipas tij, kjo varet nga reformat që do të bëjnë institucionet shqiptare konform Udhërrëfyesit për vizat. Amadeu Altafaj ka komentuar edhe zgjedhjet e 28 qershorit dhe bojkotin e opozitës. “Mendoj se vendimet duhen marrë nga forcat politike shqiptare. Ne presim që të ketë një dialog të vërtetë politik midis forcave politike”, - tha ai, duke shtuar se “Parlamenti është vendi ku duhet të zhvillohet ky dialog, kryesisht”. Ky reagim vjen menjëherë pas publikimit të raportit dhe deklaratës së komisionerit për Zgjerimin, Oli Ren, i cili dy ditë më parë ka paraqitur edhe paketën për zgjerimin gjatë vitit 2009, e cila pritet që të materializohet me vlerësime dhe rekomandime nga Komisioni Europian dhe strukturat e tjera të BE-së deri në fundin e këtij viti.

16 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›