E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Reforma zgjedhore të fillojë menjëherë

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një turi takimesh në rrethe për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese ka bërë sërish apel për nisjen e shpejtë të reformës zgjedhore, që, sipas tij, duhet të ishte mbyllur që para zgjedhjeve të 8 majit. Gjatë këtij takimi me strukturat e LSI-së në Korçë, Meta ritheksoi angazhimin e LSI-së për bashkëpunim në kuadër të integrimit, duke kërkuar gjithashtu edhe pjesëmarrjen e partive të tjera. Sipas tij, BE në deklaratat e dhëna i ka lënë të qarta mesazhet, ndaj palët nuk kanë ç’të presin më, por të nisin bashkëpunimin. “Transparenca është e domosdoshme dhe jetike që procesi i reformës zgjedhore të jetë i suksesshëm dhe i besueshëm për publikun dhe për qytetarin shqiptar. Mungesa e transparencës e shfaqur më parë nuk ka sjellë përmirësime, përkundrazi ka kontaminuar besimin te zgjedhjet dhe ka sjellë kontestimin e tyre nga pala humbëse. Zgjedhjet janë momenti më solemn kur qytetarët ushtrojnë pushtetin e tyre, prandaj edhe reforma zgjedhore nuk mund të jetë e fshehur për publikun, nuk mund të jetë larg syve dhe vëmendjes së tij dhe nuk mund të lihet për minutat e fundit, sikurse ka ndodhur në të kaluarën. Ndërkaq, i të njëjtës rëndësi është edhe karakteri gjithëpërfshirës i kësaj reforme, e cila nuk është një çështje bipartiake apo tripartiake, pavarësisht peshës politike dhe elektorale që mund të përfaqësojë njëra apo tjetra parti. Çështjet e reformës zgjedhore janë çështje të jetës politike dhe institucionale të vendit”- u shpreh Meta gjatë fjalës së tij në këtë takim. Ndaj ai bëri apel se duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara dhe duhet që të mos bëhet reformë për një palë zgjedhje, por të vendosen themele të shëndetshme për demokracinë dhe institucionet në një plan afatgjatë. “Ky qëndrim i yni është në koherencë të plotë me qëndrimin tonë, që nga themelimi i LSI. Vonesat e deritanishme janë të pajustifikuara. Asnjë arsye parimore nuk ka që të mos nisë puna për reformën zgjedhore. Prandaj, është koha për t’i dhënë fund fjalëve dhe për të kaluar në veprime konkrete” tha më tej ai. Krahas kësaj, Meta ka kujtuar se në Kuvend kanë mbetur pa u miratuar një sërë ligjesh të rëndësishëm e të domosdoshëm për integrimin e vendit, për të cilët duhet gjetur sa më parë rruga e dialogut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›