Përmet,100 anëtarë të PS-së i bashkohen LSI-së
Lëvizja Socialiste për Integrimin në Qarkun e Gjirokastrës vijon ristrukturimin e degëve lokale në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës. Gjatë fushatës për anëtarësimin e anëtarëve të rinj të LSI-së në këtë Qark, janë bashkuar edhe pjesëtarë të PS-së. Gjatë një takimi të strukturave të LSI për rrethin e Përmetit, rreth 100 anëtarë të PS kanë deklaruar largimin nga kjo forcë politike për t’iu bashkuar LSI-së. Sipas Erjon Jaçes, kryetar i strukturave të PS-së në komunën Dishnicë, 10 organizata socialiste janë shkrirë dhe rreth 100 anëtarët e tyre i janë bashkangjitur Lëvizjes Socialiste për Integrim. “PS është një parti që me mënyrën si paraqitet aktualisht nuk mund të fitojë në vitin 2013”, ka pohuar Jaçe gjatë takimit të zhvilluar në qytetin e Këlcyrës. I pranishëm në këtë organizim, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, është shprehur se kjo forcë politike vijon forcimin e strukturave organizative dhe politike, me qëllim konsolidimin e fitores në zgjedhjet parlamentare të 2013-s. “LSI-ja është një forcë politike e cila ka në qendër të veprimtarisë së saj integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian”, ka pohuar mes të tjerash deputeti Vangjel Tavo, në takimin me strukturat e LSI-së në rrethin e Përmetit. Vetëm dy ditë më parë kreu i kësaj force Ilir Meta shpalli qëllimin e LSI-së për të dyfishuar anëtarësinë e saj brenda vitit 2012.