E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët, Kuvendit: Ndryshoni tre nene

Shoqata Kombëtare e Prokurorëve i kërkon Kuvendit që në seancën e së hënës të ndërhyjë në disa nene të ligjit të ri për prokurorinë. Në një deklaratë për shtyp, prokurorët vlerësojnë se projektligji është një përpjekje për të përmirësuar ligjin aktual dhe në shumë nene të tij ia ka arritur. "Përcakton qartë shkallën e hierarkisë në prokurori (neni 1), mënyrën e funksionimit më mirë të punës brenda organit, midis prokurorëve që kryejnë funksione në shkallë të ndryshme të saj(nenet 2,3,5) vendosja e kritereve profesionale dhe etiko-morale në funksion të ngritjes në detyrë të prokurorëve apo futjes së tyre në sistem (neni 11, 19), përmirësohet transparenca dhe kontrolli i punës së prokurorëve, aq shumë e rëndësishme", sqarojnë prokurorët. Shoqata sugjeron rishikimin e nenit 36 të ligjit aktual. "Ky nen tashmë është pranuar nga të gjithë, që nuk përbën imunitet për prokurorët, për t‘u hetuar e gjykuar për çdo vepër penale që ata mund të kryejnë, me procedurë ligjore si të gjithë shtetasit e tjerë. Ky nen është vendosur për të mbrojtur prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, nga veprimet arbitrare dhe të paligjshme që mund t‘u ndodhin", nënvizon shoqata. Një vërejtje bëhet edhe sa i takon nenit 27 që rrit aksesin e ekzekutivit për të kontrolluar nëpërmjet ministrit të Drejtësisë punën e prokurorëve, për të raportuar në Parlament rezultatet e këtij kontrolli. "Më e rëndësishmja i jep të drejtën t‘i rekomandojë Prokurorit të Përgjithshëm marrjen e masave disiplinore për prokurorët, deri në shkarkim të tyre nga detyra", shprehen prokurorët. Sipas tyre, këto dy nene megjithëse të kundërshtuara nga prokurorët, Komisioni i Ligjeve nuk i mori në konsideratë. Për këtë arsye, shtojnë ata, për të qenë të sigurt dhe të qetë në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorëve duhet t‘u garantohet me ligj, të paktën mbrojtja e tyre në ushtrimin e funksioneve. "Mendojmë se ky është standard i rëndësishëm për të pasur një prokurori të pavarur, objektive, të qëndrueshme e të pacenuar nga njëra anë, por të kontrolluar në zbatimin e ligjit nga ana tjetër", vijon shoqata. Ajo kundërshton edhe nenin që parashikohet "kundër masës disiplinore". "Ky ndryshim bie ndesh me neni 44 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, e cila i jep të drejtë çdo shtetasi që të rehabilitohet në përputhje me ligjin, nëse është dëmtuar nga një vendim, apo veprim i paligjshëm i organeve të shtetit", konstaton Shoqata e Prokurorëve. Teksa insiston se legjislacioni shqiptar duhet të jetë koherent në tërësinë tij dhe prokurorët nuk duhet të vendosen në një situatë të ndryshme nga ajo e zyrtarëve të tjerë të shtetit. "Siguria për të qëndruar në detyrë dhe për t‘u mbrojtur nga një shkarkim i padrejtë, duhet të kuptohet si pjesë e pavarësisë së prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre", shprehen prokurorët. Ata sugjerojnë riformulimin e nenit 34 në formën e tillë që kundër masës disiplinore shkarkim nga detyra, prokurori mund të bëjë ankim në Gjykatën e Lartë. Kur Gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos kthimin e prokurorit në detyrën që ka ushtruar më parë. "Ne mendojmë se marrëveshjet e Partive politike, nuk duhet të prekin pavarësinë e organeve të drejtësisë. Për këtë arsye, meqenëse ligji nuk ka kaluar ende në seancë parlamentare për votim, ne u kërkojmë partive politike parlamentare të marrin parasysh edhe këto sugjerime", përfundon deklarata e shoqatës së prokurorëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›