Meta: Së shpejti Shqipëria do të hapë e selinë e saj diplomatike në Australi
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti sot Ambasadorin jo rezident të Australisë në vendin tonë, Jeremy Roger Newman. Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Australisë dhe Shqipërisë si në bashkëpunimin e ngushtë bilateral ashtu edhe në kuadër të aleancave dhe nismave ndërkombëtare. Ai e njohu Ambasadorin australian me rëndësinë që Qeveria shqiptare i kushton këtyre marrëdhënieve duke vënë në dukje se së shpejti Shqipëria do të mundësojë hapjen e selisë së saj diplomatike në Australi me qëllim nxitjen e këtyre marrëdhënieve si në planin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Gjithashtu, Meta theksoi se hapja e Ambasadës shqiptare në Australi do të ndihmojë edhe në forcimin e rolit të Komunitetit shqiptar në Australi për të zgjeruar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve. Nga ana e tij Ambasadori australian, Jeremy Roger Newman e falënderoi Ministrin Meta për interesin e treguar në shërbim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njëkohësisht përcolli të njëjta mesazhe të Qeverise australiane për Qeverinë shqiptare.