Topi mbledh ekspertë për anëtarët e Gjykatës: Politika duhet të ruajë strukturën e shtetit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka thirrur sot një grup ekspertësh ligjorë për një takim konsultativ gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Në fillim të takimit, Presidenti pasi i ka falënderuar të gjithë anëtarët e grupit të punës për gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës juridike, i ka inkurajuar ata drejt standardeve të njohura e të pranuara për gjyqtarë me integritet të lartë moral e profesional. Ai vuri në dukje se ky është një proces tejet i rëndësishëm jo vetëm për shkak të numrit të konsiderueshëm të vendeve vakante, por edhe për funksionin specifik që kanë këto dy Gjykata në strukturën institucionale të vendit. “Për shkak të kësaj rëndësie, kam qenë i hapur dhe u kam bërë thirrje konstante partive parlamentare që t’i kushtojnë gjithë vëmendjen e duhur përmirësimit të klimës politike, me qëllim krijimin e një shtrati bashkëpunimi për këto emërime. Politika duhet të ruajë strukturën e shtetit. Ajo duhet të jetë e harmonizuar për gjëra madhore”, apeloi Topi Ekspertët ligjorë, në përfundim të këtij procesi konsultimi, do të paraqesin sugjerimet e tyre për standardet dhe kriteret, veç atyre ligjore, që mund të merren parasysh gjatë përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, kritere që lidhen me etikën, moralin e nivelin profesional të kandidatëve, mbi bazën e të cilave Presidenti i Republikës do të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për emërimin e anëtarëve në këto Gjykata.