KiE, oferta për Berishën dhe Ramën
ADI SHKEMBI
Takimet me krerët e PD e PS dhe dy bisedat në zyrën e kreut të shtetit nuk kanë mjaftuar që Komiteti Presidencial i Asamblesë së Këshillit të Evropës të propozojë formulën e zgjidhjes së krizës në Shqipëri. Në përfundim të takimit në mbrëmje në Presidencë, në prani të kreut të maxhorancës dhe atij të opozitës, delegacioni i Strasburgut ka hedhur një propozim konkret në tryezë, që ka të bëjë me dërgimin e kërkesës së PS-së për hapjen e kutive në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit në Komisionin e Venecias. Propozimi është pranuar në parim nga Berisha, por është refuzuar nga Rama..
Takimet
Në rreth 11 orë të ditës së parë të vizitës në Tiranë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i kryesuar nga Presidenti i këtij organizmi Mevlut Kavushoglu u takua fillimisht me kreun e shtetit, më pas me kryetaren e Kuvendit, Kryeministrin dhe kreun e Partisë Socialiste. Në orën 17.00 përfaqësuesit e Asamblesë së KiE-së, u drejtuan për të dytën herë në zyrën e kreut të shtetit. Rreth pesë minuta më vonë në këtë takim hyri Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar, Astrit Patozi dhe në orën 17.11 në Presidencë erdhi kreu i PS-së, Edi Rama së bashku me kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. Burimet pranë këtij takimi bëjnë të ditur se dy palët nuk kanë luajtur nga pozicionet e tyre fillestare. Por mësohet se kreu i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kavushoglu ka hedhur në tryezën e bisedimeve një propozim konkret. Ai propozoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar gjerësisht zgjedhjet e 28 qershorit. Për sa i përket kërkesës së PS-së për hapjen e kutive të votimit, delegacioni i KiE-së ka paraqitur variantin e dërgimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, për të parë ligjshmërinë e saj dhe kjo e fundit t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Propozimi i delegacionit nga Strasburgu është pranuar nga Kryeministri Berisha, por jo nga kreu i opozitës. Mësohet se teksa Berisha ka qenë dakord me këtë variant, Rama i është referuar sërish vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij i jep të drejtë opozitës të kërkojë hapjen e kutive të votimit. Burimet në takim bëjnë të ditur gjithashtu se, pas këtij momenti ka pasur disa replika mes kreut të shumicës dhe të opozitës, por aty ka ndërhyrë Presidenti Topi, i cili në pozicionin kushtetues mbi palët, ka kërkuar gjetjen e rrugëdaljes nga kriza. Pas refuzimit të opozitës, mësohet se kreu i delegacionit të KiE-së, i ka kërkuar Ramës që ta konsultojë këtë formulë me forumet e partisë së tij dhe të japë një përgjigje deri sot, ditë kur pritet të vazhdojnë ende negociatat. Në përfundim të takimit, Berisha ka qenë i pari që është larguar nga Presidenca rreth orës 19.30 dhe pas tij Rama e përfaqësuesit e Këshillit të Evropës. Ndërkohë, Presidenca ka nxjerrë në mbrëmje një njoftim për shtyp në faqen e saj të internetit, ku sqaron se “në këtë takim mes personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, biseda u përqendrua në tryezën politike të bisedimeve mes maxhorancës dhe opozitës, të zhvilluar nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi”. Gjithashtu nga selia e kreu të shtetit, bëhet e ditur se bisedimet për daljen nga kriza do të vazhdojnë edhe gjatë paradites së sotme. “Nga ana e tyre, parlamentarët e Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Presidenti Mevlut Kavushoglu e informuan kreun e shtetit shqiptar rreth rezultateve të takimeve të tyre, të zhvilluara gjatë gjithë ditës me Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Rama për të gjetur pikëtakimet e mundshme, për të afruar palët drejt një marrëveshjeje dhe për të zgjidhur përfundimisht ngërçin politik të institucioneve shqiptare. Bisedimet dhe negociatat politike do të vazhdojnë nesër”, vijon më tej njoftimi i Presidencës.