E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Listat, në nisje të fushatës

 

Aristir Lumezi

Kryetari i PS-së tha dje se lista e kandidatëve për deputetë do të zyrtarizohen vetëm ditën e nisjes së fushatës elektorale. Këtë deklaratë Edi Rama e bëri të njohur gjatë një interviste në Top Channel me gazetaren Mimoza Picari. Pa qartësuar ende procedurën se si do të bëhet përzgjedhja dhe seleksionimi i kandidaturave socialiste për deputetë, Rama shprehet se për to do të pyetet opinioni qytetar. "Ne jemi duke menduar mbi formën me të cilën do të thithim opinionin qytetar dhe njëkohësisht mbi mënyrën se si do të harmonizojmë mosha, gjini, eksperienca dhe energji të reja në këtë listë, që është shumë herët për të folur konkretisht dhe që do t'u paraqitet zgjedhësve në momentin më të përshtatshëm, që është edhe fillimi i fushatës elektorale", tha Rama. Ndryshe nga deri më sot, zgjedhjet e 2005, kur propozimet për kandidaturat për deputetë vinin nga strukturat e bazës së partisë, duket se në përputhje me sistemin e ri zgjedhor, kur peshën më të madhe e marrin strukturat e partisë dhe më pak kandidati që konkurron, fuqi sipas Ramës do të marrë konsultimi qytetar. Për këtë, Partia Socialiste përveç strukturave të saj ka ngritur dhe Bordet e Qytetarëve, të cilët duket se do të kenë rol vendimmarrës në këtë proces. Duke folur për koalicionet parazgjedhore, kryetari i socialistëve shprehet se në zgjedhjet e ardhshme, PS do të tregojë se është boshti i koalicionit ku rreth saj do të mblidhen dhe subjekte të tjera. "Procesi i formësimit të koalicioneve është një proces në vazhdim dhe unë jam besimplotë se PS do të jetë qendra e gravitetit të formimit të një koalicioni të madh njerëzish përtej kufijve të vjetër. Sot Shqipëria ka nevojë për një bashkim të ri dhe të madh qytetarësh dhe jo për pazar kryetarësh", tha Rama. Gjatë rrëfimit të tij në intervistë, kryetari socialist i kushtoi vëmendje dhe programit qeverisës së PS-së, i cili sipas tij është produkt i të gjitha shqetësimeve të vjelura nga dialogu me Shqipërinë që zhvillohet për më shumë se dy vjet në të gjithë vendin. "Duam të premtojmë atë që mund të bëjmë dhe të bëjmë gjithçka që premtojmë", tha Rama.
Asambleja
Vetëm pak ditë më parë, drejtuesit socialistë, kanë informuar asamblesë kombëtare për organizimin e ri të PS në përputhje me sistemin e ri zgjedhor, atë proporcional rajonal dhe Kodit Zgjedhor, i cili u miratua në kuvend pak ditë më parë. Socialistët u njohën në mënyrë të detajuar se si është bërë organizimi elektoral i PS, një vendim i miratuar nga kryesia e kësaj partie. Organizimi përfshin Shtabin Qendror elektoral të Partisë socialiste, dhe mbi këtë bazë ngrihen shtabe elektorale në nivel qarku dhe komune e bashkie. Në krye të këtij organizimi qëndrojnë anëtarët e kryesisë socialiste, të cilët janë deleguar në qarqe në formën e kujdestarëve politikë. Ata bashkë me sekretarët rajonalë të qarkut dhe kryetarin e bashkisë qendër qarku përbëjnë shtabin elektoral socialist në nivel qarku. Në këtë informim, anëtarët e asamblesë kombëtare janë njohur me organizimin elektoral të partisë deri në organizatën socialiste por dhe një numër aspak të vogël grupesh që do të punojnë gjatë fushatës elektorale, që nga ata të vullnetarëve e deri te grupi i marrëdhënieve me shoqatat e veteranëve dhe të ish-ushtarakëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›