E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot merret vendimi për referendumin

Gjykata Kushtetuese do të marrë sot në shqyrtim kërkesën e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, për nisjen e procedurave për organizimin e një referendumi popullor për ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Kërkesa për referendum u depozitua fillimisht në KQZ muaj më parë, edhe me firmat e mjaft figurave të njohura nga fusha e politikës, ish-presidentëve Moisiu, Meidani, shkrimtarit Dritëro Agolli, etj. Nga ana e saj KQZ-ja tha se kjo çështje nuk kishte të bënte me të dhe kompetencat e saj. Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 5 qershor e hodhi poshtë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, "me pa të drejtë dhe duke tejkaluar kompetencat e veta", kërkesën e nismëtarëve për të tërhequr formularët tip të nevojshëm për mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët. Vetë grupi nismëtar për referendumin dhe Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës kanë shprehur kritikat e tyre mbi këtë qëndrim të KQZ-së, duke e komentuar si një shprehje të ndikimit të drejtpërdrejtë të lidershipit të PS-së dhe PD-së në vendimmarrjen e këtij institucioni. Për KMK-në dhe gjithë mbështetësit e një referendumi popullor lidhur me ndryshimet e Kushtetutës, "mbetet i papranueshëm jo vetëm fakti i kryerjes së ndryshimeve të dokumentit themelor të shtetit brenda një kohe shumë të shkurtër, pa një debat transparent si të specializuar ashtu edhe publik, por edhe fakti që amendamentet kanë cenuar rëndë parimet liberal-kushtetuese të ndarjes, baraspeshimit dhe pavarësisë së pushteteve në Shqipëri".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›