E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS nuk fiton dot pa LSI, i mundshëm një koalicion PS-PD pas zgjedhjeve ”

 

Rexhep Meidani

A mund të shmangej një përplasje midis PS-së dhe LSI-sëë Në të gjitha rastet, disa muaj më parë një shmangie e tillë dukej fare e mundshme! Bile, pavarësisht shfaqejeve aty-këtu të mosbesimit reciprok apo nxitjeje të "kasiove" të dyanëshme, një bashkëpunim i dobishëm i të gjithë forcave politike të krahut të majtë dhe të qendrës, sidomos midis PS-së dhe LSI-së; konsiderohej tërësisht i mirëpritur, madje një garanci e plotë e fitores së zgjedhjeve të ardhshme. Por situata filloi të precipitonte krejtësisht në procesin "kushtetues", krejtësisht të papërgatitur të sistemit zgjedhor dhe, mbi të gjitha, me ndryshimet e "çuditshme" kushtetuese shoqëruese. Përfshirë dhe ato të lidhura me fuqizimin e pozicionit të kryeministrit dhe dobësimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Në fakt, mungesa e bashkëveprimit dhe e luajalitetit, pozicionimet e ndryshme dhe të pakoordinuara ndaj sistemit zgjedhor, veçanërisht qëndrimi i kundërt ndaj listave të hapura ose të mbyllyra apo refuzimi i propozimit të LSI-së mbi korrigjimin përpjesëtimor kombëtar e "çimentoi" më tej mungesën e besimit reciprok ndaj drejtuesve të këtyre grupimeve politike. Situata, në procesin e përfundimit të draftit të Kodit Zgjedhor, po shfaqte një refraktarizëm të panevojshëm, që mbi të gjitha iu "vesh" sjelljes së kryesisë së PS-së. Aq më tepër që deputetët e futur në grevë dhe udhëheqjet e grupimeve të tyre politike u deklaruan pozitivisht dhe në mbështetje të komisioneve zgjedhore jopartiake. Pa harruar që vetë kryetari i Partisë Socialiste dhe zëdhëndësit e tij të reformës zgjedhore, gjatë kohëve të fundit, kanë propaganduar me zell një përfaqësim jo partiak të komisionerëve zgjedhorë të gjithë niveleve!...   
***
Në planin psikologjik, padyshim, një përplasje politike-partiake në krahun e majtë mund të shoqërohet me thyerje të konsiderueshme në këtë krah. Thyerje të tilla jo vetëm mund të sjellin humbje të panevojshme të votave të majta, por mbi të gjitha mund të stimulojnë abstenimin zgjedhor, pse jo dhe mosbesimin. Dhe e gjitha kjo kur brenda një sistemi të tillë pjesëtimor rajonal mundësia e diferencimit midis të krahëve politike bëhet shumë më e vogël. Në këtë këndvështrim, pavarësisht llogaritjeve, të shitura si tërësisht "optimiste", mundësitë e PS-së për të qeverisur e vetme vendin janë praktikisht të vështira. Aq më tepër që për të realizuar dhe reforma më të rëndësishme, mund të kërkohen dhe votime me mbështetje të 3/5 të numrit të plotë të deputetëve. Ndërkohë, në krahun tjetër ka pasur fillimisht disa përpjekje të dobishme për ribashkim e ndërveprim, kurse aktualisht është "rebeluar" një krah demokristian, apo është shfaqur, krahas një të djathte ekzistuese jashtë koalicionit qeverisës, dhe një orientim liberal me pretendim po të djathtë...   

***
Pavarësisht çfarë pretendohet gabimisht apo çfarë projektohet për një depërtim elektoral në të majtë dhe të djathtë, apo siç thuhet për "vota socialiste" përtej të majtës dhe të djathtas, një problem i mprehtë në krahun e majtë, sidomos midis dy grupimeve PS dhe LSI, të konsideruara aktualisht si kundërshtare, mund të rezultojë ai i përplasjes së fortë të tyre në procesin zgjedhor. Aq më e tronditëse, deri abstenuese nga pikëpamja psikologjike, mund të rezultojë kjo përplasje qoftë në fushatë, qoftë në procesin e votimit apo të numërimit. Prandaj, duhen parë të gjitha mundësitë dhe alternativat e dobësimit konkret të kësaj përplasje. Për më tepër, një gjë e tillë mund të sjellë jo vetëm pakënaqësi e mosbesim, por dhe dyshime, mungesa e çorientime brenda këtij elektorati të majtë. Kurse në rast të domosdoshmërisë së bashkimit të votave parlamentare, në funksion të krijimit të një qeverisje të majtë, duhen menduar që sot koorridoret e një bashkëpunimi të tillë, pavarësisht që sot kjo duket praktikisht e pamundur... 

***
Pikërisht, me thelbin e kësaj çështje varet dhe mundësia e krijimit të koalicioneve paszgjedhore. Ajo shpreh dhe lojën politike të formatimit e mbajtjes së pushtetit. Në këtë kuptim, atmosfera aktuale midis grupimeve të majta, sidomos midis PS-së dhe LSI-së, e bën të vështirë, pothuajse të pamundur një qeverisje normale me një kryeministër nga forca më e madhe politike dhe një mbushje proporcionale nga forcat e tjera të këtij koalicioni të tillë.
Sidoqoftë, në rast të fitimit të zgjedhjeve nga grupimet politike të së majtës e qendrës, mund të rezultojnë disa alternativa të ndryshme. Kështu, varianti i pretenduar me një qeverisje të qendrueshme të një force të vetme, p.sh., të PS-së, duket pothuajse hipotetik, krejtësisht i pamundur. Në mungesë të votave të domosdoshme të anëtarëve të tjerë të koalicionit, pa votat e LSI-së, skenari konkret mund të marrë po ashtu pamje të ndryshme. Një prej tyre, mund të jetë dhe gjetja e një zgjidhje të ndryshme përtej protagonizmit dhe antagonizmit të drejtuesve kryesorë të këtyre dy grupimeve politike. Varianti tjetër i mundshëm mund të jetë dhe këmbëngulja e mëtejshme në zgjedhje të reja. Probabiliteti apo pretendimi për përmbysje në krah të kundërt të votave parlamentare për LSI-në duket i pamundur, madje një veprim i tillë do të ishte dhe zbehje e ndikimit politik të kësaj force. Ndërkohë që krejtësisht i mundshëm është dhe rindërtimi i koalicionit të madh, PS-PD, të ngjashëm me kaoalicionin e drejtuar nga kancelarja Merkel (që detyroi tërheqjen e Shrëderit nga drejtimi i socialdemokratëve gjermanë). Por, në thelbin e vet, një koalicion i tillë i "madh", krahas qeverisjes së "fortë", do të shoqërohej dhe nga shqetësime serioze të deformimit demokratik. Bile, në kundërshtimin me pretendimin fillestar për mënjanimin e forcave më të vogla politike, gjatë një qeverisje apo koalicioni të tillë, ka shumë mundësi që të fuqizoheshin më tej dhe këto forca të vogla, duke e bërë dhe më të dispersuar vetë spektrin politik.  

***
Pra, parë në një këndvështrim, afatshkurtër e afatgjatë, PS-ja në vetvete nuk fiton nga kjo përplasje me LSI-në. Aq më tepër që një pozicionim i tillë refraktar mund të ndikojë mbi elektoratin e majtë, pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet e ardhshme, dhe mbi të gjitha mund do të krijojë një ngërç serioz në skemën e ndërtimin normal të një qeverie të domosdoshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›