E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Si do të mbrojmë votat në 2009

Që nga janari i vitit të ardhshëm, Lëvizja Socialiste për Integrim do të kontraktojë pranë vetes kompani amerikane dhe evropiane. Kreu i kësaj partie, Ilir Meta, deklaroi dje se gjatë ditëve të grevës, ka nisur bisedimet me disa nga kompanitë më të specializuara në Evropë dhe në Amerikë për strategjitë e paralizimit të skemave të manipulimit të votës dhe të demaskimit të tyre ndërkombëtar. "Në këtë drejtim mund t‘ju them se këto negociata janë në vazhdim dhe besoj që në fillim të vitit të ardhshëm, pra në muajin janar, ne do të konkludojmë dy marrëveshje që do t‘i bëhen të ditura opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, me një kompani amerikane dhe me një kompani evropiane", theksoi Meta. Këto, sqaroi ai, do të ndihmojnë jo thjesht Lëvizjen Socialiste për Integrim, por do të ndihmojnë Shqipërinë që zgjedhjet të realizohen në mënyrë të ndershme dhe transparente, që të mos kenë frikë shqiptarët se vota e tyre mund të preket nga Berisha e Rama. "Por, të kenë tmerr Rama e Berisha në qoftë se do të prekin një votë, jo thjesht të LSI, por një votë që do të hidhet nga çdo qytetar shqiptar për cilëndo forcë politike që do të dëshirojë", u shpreh Meta. Pra, vijoi ai, mund t‘ju them se nga bisedimet e deritanishme dhe nga gjithë angazhimi ynë i deritanishëm ndërkombëtar, ne do të sjellim në Shqipëri shumë më tepër vëzhgues sesa OSBE-ODIHR, pra vëzhgues ndërkombëtarë. Ndërkohë që, ekipe të specializuara do të vijnë që në muajin janar, do të vendosen në Shqipëri dhe do të ketë tre qendra shumë të rëndësishme që do të bashkërendojnë me njëra-tjetrën. Këto kompani do të jenë të gatshme të përgatisin një denoncim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, në rast se edhe një votë do të preket në qendrën më të vogël, më të parëndësishme dhe më të largët të Shqipërisë. "Jo një votë të LSI-së, por një votë të cilësdo force politike. Ne do të jemi garantuesit e zgjedhjeve të ndershme. Nuk do të sjellim qindra turistë këtu, por do të sjellim qindra personalitete, politikanë, gazetarë, që janë mësuar të shkojnë të monitorojnë zgjedhjet edhe në Zimbabve dhe në vende të tjera shumë problematike", sqaroi Meta. Ju, kujtoi ai, e mbani mend shumë mirë, se në vitin ‘96, Sali Berisha fitoi me 90 e ca për qind më 26 maj, dhe më 27 maj në Hotel "Tirana", dy përfaqësues të trupit diplomatik mblodhën të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, një pjesë e të cilëve ishin rrahur në zgjedhje nga policia e Sali Berishës, dhe u kërkuan që, pavarësisht nga problemet, për hir të gjoja stabilitetit të Shqipërisë, të bëhej një raport i pranueshëm dhe rozë i zgjedhjeve. "Ishin me dhjetëra vëzhguesit që denoncuan qëndrimin e komprometuar të këtyre diplomatëve, që iu drejtuan shtypit evropian dhe botëror dhe që solli atë ndëshkim ndërkombëtar për Sali Berishën. Ai e di mirë se kush e solli pjesën më të madhe të vëzhguesve në atë kohë, nëse ka një njeri që e di mirë, është ai", nënvizoi kreu i LSI-së. Teksa iu referua mitingut të së enjtes, Meta tha se ky manifestim do t‘u tregojë të gjithë shqiptarëve, por edhe

opinionit ndërkombëtar, se Lëvizja Socialiste për Integrim dhe forcat e tjera politike të pa implikuar në votimin e Kodit krejtësisht të dyshimtë, si dhe i gjithë opinioni publik që e ka në zemër demokracinë dhe lirinë, do të jenë garancitë që Shqipëria të ketë një proces zgjedhor të mbrojtur nga manipulimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›