E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Takim Berisha-Rama për të zgjidhur krizën

Numri dy i qeverisë shqiptare, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri thirrje dje për një takim mes Ramës dhe Berishës që do të shënonte fillimin e negociatave dhe rrugës drejt konsensusit. Në një komunikim me mediat, pas një takimi me ambasadorin japonez, ai tha se çdo takim mes Kryeministrit Berisha dhe z.Rama është shumë pozitiv. "Z.Berisha ka ftuar edhe dje dhe jam i bindur që do ta ftojë vazhdimisht z.Rama si kryetar i partisë më të madhe opozitare për të bashkëpunuar në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Jam i bindur se qeveria do të ecë në këtë drejtim konstruktiv dhe gjithëpërfshirës dhe shpresoj që edhe opozita të kontribuojë sepse i ka të gjitha mundësitë për të dhënë kontributin e saj në këtë proces shumë të rëndësishëm për të gjithë vendin", u shpreh Meta. Njëkohësisht, ai la të mundur edhe një takim mes tij dhe kreut socialist, Edi Rama, duke qenë i bindur se dialogu bëhet me vullnet dhe jo vetëm me deklarata. "Unë jam i hapur në çdo moment dhe të jeni të sigurt që maxhoranca është shumë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, absolutisht dhe me veprime konkrete dhe jo thjesht vetëm me deklarata, por natyrisht që duhet vullnet nga të gjithë, sepse e theksoj edhe një herë, momenti është i rëndësishëm dhe historik dhe duhen lënë gjërat e vogla përpara aspiratës kryesore që bashkon shqiptarët. Integrimi nuk i ndan shqiptarët në të majtë e në të djathtë", nënvizoi Meta.

Sipas ministrit të Jashtëm, momenti i dorëzimit të pyetësorit nga ana e Komisionit Europian është një moment shumë i rëndësishëm dhe historik që duhet të zgjojë energjitë më pozitive të të gjithë aktorëve politikë në vend. "Ai duhet të garantojë dhe gjithëpërfshirjen maksimale të të gjithë aktorëve politikë dhe socialë të shoqërisë civile dhe të ekspertëve më të mirë të vendit në të gjitha fushat e integrimit. Nuk ka gjë më të rëndësishme për të gjithë vendin tonë, për të gjithë shqiptarët sesa ky ushtrim i ri që fillon vendi me marrjen e pyetësorit dhe që do të vijojë edhe me etapa të tjera në të ardhmen", tha Meta.

Deklaratat e tij erdhën pas një takimi që pati më ambasadorin e Japonisë në vendin tonë, rezident në Romë, z. Hiroyasu Ando. Gjatë bashkëbisedimit u fol në lidhje me forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik dypalësh ku një vend të veçantë zuri diskutimi mbi mbështetjen nga qeveria japoneze të projekteve në fusha të ndryshme të hartuara nga qeveria shqiptare. Gjithashtu, Meta dhe Ando nënshkruan marrëveshjen me shkëmbim notash mbi zbatimin e projektit "Përmirësimi i Pajisjeve Mjekësore të Qendrave Rajonale të Urgjencës". Në bazë të këtij projekti me vlerë 718,000,000 yenë japonezë (7.3 milionë USD) do të modernizohen pajisjet mjekësore të qendrave shëndetësore në 12 qarqe të vendit.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›