E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Konferenca gjyqësore është një OJQ

Kryeparlamentarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi dje në "Top Story" se Sali Berisha kishte marrë 700 mijë vota në 28 qershor dhe në Kuvendin e PD u rikonfirmua fakti se është politikani më i votuar. "Kemi të bëjmë me një lider dhe emri i tij është tek gjitha proceset e këtij vendi. Një lider që ka tejkaluar veten", tha Topalli. Ajo tha se zoti Biberaj ishte i pranishëm në Kuvend dhe kur u votua statuti u pyet a ka diçka kundër, ndërsa ai nuk reagoi. E pyetur për koalicionin PD-LSI, Topalli tha se është respektuar vullneti i qytetarëve që shprehen vetëm një herë në katër vite. Referuar mitingut të datës 8 dhjetor, Topalli tha se "PD ka vulën e gjithë zhvillimeve më të vrullshme në këtë vend". Topalli tha se kemi në çdo moment dialog edhe me elektoratin socialist pasi edhe ata kanë votuar për heqjen e vizave dhe për rritjen e rrogave. "600 mijë shqiptarë që kanë votuar për Partinë Socialiste nuk kanë votuar për Edi Ramën", tha Topalli. Sipas saj, i vetmi njeri që nuk do liberalizimin e vizave dhe që çdo gjë e ka vendosur tek shpresa që Berisha të mos japë dot vizat është Edi Rama. "Nuk ka shpresë tjetër për karrierën e tij se sa mundësia që të mos liberalizohen vizat", u shpreh Topalli. Ajo akuzoi sërish Ilir Beqën se ka deklaruar tek ndërkombëtarët që nëse hiqen vizat do të vërshojnë kriminelët. "Komisioni Evropian e përgënjeshtroi sepse nuk e cilëson si antishqiptare por unë e quaj antishqiptare këtë", u shpreh Topalli. E pyetur nëse a ka sjellje në dy standarde nga mazhoranca kur në rastin e kutive të votimit thotë se respektoj Kushtetutën ndërsa në rastin e Konferencës Gjyqësori e anashkalon atë, Topalli si kryeministri pak ditë më parë, tha se konferenca gjyqësore është një OJQ. Topalli sakaq, sulmoi sërish kreun e opozitës Edi Rama duke e akuzuar për lidhje me mafian. Topalli përmendi emra nga bota e biznesit, të cilët sipas saj janë pjesë e kupolës mafioze që qëndron pranë Edi Ramës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›