E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Oferta jonë për opozitën, dinjitoze"

Kryeministri Sali Berisha deklaron nga Kopenhageni se kompromisi mes tij dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk mund të bazohet asnjëherë në shkeljen e vendimeve të gjykatave. Në një prononcim për BBC-në, Berisha la të kuptohej se hapja e kutive të votimit e kërkuar nga socialistët nuk mund të pranohej nga ana e tij. Po kështu, në kryeqytetin e Danimarkës, përgjatë mbajtjes së Konferencës për Ndryshimet Klimaterike, Berisha theksoi se qeveria e tij ishte e vendosur ta kthente vendin në eksportues të energjisë së gjelbër në rajon. Kryeministri theksoi se nxjerrja e e energjisë elektrike do të bazohej në burimet hidrike dhe erën, duke harruar projektet për energjinë nukleare dhe atë të nxjerrë nga qymyri.

Opozita

Për të disatën herë Kryeministri Berisha hodhi poshtë arritjen e një kompromisi me opozitën, për sa i përket hapjes së kutive të votimit. "Kushtetuta nuk e lejon këtë, ligji organik i komisioneve parlamentare nuk e lejon këtë. Pra unë nuk mund të them se do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave", theksoi Berisha nga Kopenhageni. Shefi i mazhorancës deklaroi se opozita po mban një qëndrim paradoksal përsa i përket bojkotit të opozitës. "Opozita ka vendosur të bëjë opozitë jashtë parlamentare, duke deklaruar se e njeh rezultatin e zgjedhjeve, ky është qëndrimi më paradoksal", theksoi Berisha. Sipas tij, mazhoranca ka bërë ofertën e saj dinjitoze për rikthimin e opozitës në Parlament dhe se është e udhës që PS ta pranojë atë. Po kështu, Berisha deklaroi se pas marrjes së pyetësorit të Bashkimit Europian ishte e nevojshme që mazhoranca dhe opozita të bashkëpunonin ngushtë për të ardhmen e vendit. "I bëj thirrje publikisht zotit Rama që të dalim në një konferencë të përbashkët shtypi e ta përshëndesim dhe të shprehim gatishmërinë për të punuar sëbashku", theksoi Berisha nga Danimarka.

Energjia

Shqipëria do të kthehet në një superfuqi prodhuese të energjisë së gjelbër në rajon. Ky ishte premtimi që bëri dje në Kopenhagën, Kryeministri Berisha në kuadër të konferencës botërore që po mbahet prej ditësh për Ndryshimet Klimaterike. Duke theksuar në fjalën e tij faktin se energjia në Shqipërisë do të nxirrej përmes burimeve ujore dhe erës, Berisha harroi edhe qëndrimet e tij të mëparshme për nxjerrjen e energjisë elektrike përmes një centrali bërthamor të parashikuar për t‘u ngritur në vend. Kështu Kryeministri theksoi se aktualisht rreth 95% e burimeve dhe konsumit të energjisë së Shqipërisë vjen nga energjia hidrike. Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se po planifikohet ndërtimi i rreth 440 hidrocentrale me një fuqi totale prej së paku 20 miliardë kilovat/orë. Po kështu, Berisha deklaroi se Shqipëria është një vend shumë i përshtatshëm edhe për shfytëzimin e erës në nxjerrjen e energjisë elektrike. Sipas tij, deri tani janë licensuar mbi 2000 MW parqe eolike dhe mijëra të tjerë janë në studim e sipër. Kryeministri deklaroi se janë nënshkruar kontrata prej më shumë se 5 bilionë euro, për projektet për prodhimin e energjisë, të cilat përfshijnë energjinë hidrike, të erës dhe biomasën.

Bashkëpunimi

"I bëj thirrje publikisht zotit Rama, që të dalim në një konferencë të përbashkët shtypi dhe ta përshëndesim e të shprehim gatishmërinë për të punuar së bashku"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›