E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të integrohen të rinjtë

Korçë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me të rinjtë nga Korça në kuadër të fushatës, “Koha për Veprim” dhe “Rinia në Veprim. “Të rinjtë shqiptarë nuk e meritojnë këtë mungesë perspektive që ofron qeverisja dhe politika e sotme. Të rinjtë shqiptarë meritojnë një veprim energjik për të dalë nga kjo gjendje dhe për të krijuar një perspektivë më të mirë, që e meriton rinia dhe vendi jonë”-theksoi Meta para qindra simpatizantëve sallën e kinema Millenium në Korçë.

Meta theksoi se të rinjtë meritojnë një lidership që ka alternativë konkrete dhe të gatshme, për të ndërmarrë ato veprime që e nxjerrin vendin nga kriza, nga papunësia dhe nga rritja e pandalshme e kostos së jetesës. “E ardhja e vendit tonë dhe e kombit tonë kërkon që të rinjtë të kenë më shumë besim në aftësitë e tyre, por dhe të krijohen më shumë hapësira në vendimmarrje për fatet e tyre dhe të vendit tonë. Shqipëria sot kërkon një drejtim dhe veprim energjik për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme”-tha kreu i LSI-së.

Më pas Meta duke folur për alternativën e LSI, tha se të rinjve iu duhet veprim për të krijuar një sistem arsimor, i cili i garanton për të dalë menjëherë në tregun e punës.

Kreu i LSI u shpreh se ne do të veprojmë për të ndërtuar një sistem të maturës shtetërore dhe të Kartës së Bolonjës, që të mos i fusë në labirintet e burokracive të rinjtë, por t’i edukojë dhe t’i orientojë ata drejt punësimit të sigurt.

Më pas duke folur për pjesëmarrjen e të rinjve në politikë, Meta u shpreh se ne do të veprojmë që të rinjtë të kenë sa më shumë hapësira, që të kenë zërat e tyre rinor në parlamentin e ardhshëm dhe të kenë vendin që u takon në qeverisjen e ardhshme. "Ne po punojmë dhe do veprojmë që të rinjtë të mos jenë një dekor i politikes së lodhur që flet për ndryshim, por ka frikë nga ndryshimi. Ndryshimin mund ta bëjnë vetëm të rinjtë dhe mund ta realizojë vetëm rinia në veprim"-vijoi kreu i kesaj partie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›