E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Të korruptuarit të ikin nga qeveria

14/01/2005  Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka këmbëngulur për largimin e Anastas Angjelit nga qeveria si dhe të gjithë ministrave të korruptuar. Meta është shprehur në Gjirokastër se të 9 deputetët e LSI-së do të votojnë ndryshimet në qeveri, në rast se largohen ministrat e korruptuar. Ai theksoi se ky nuk është një kurth politik, por është angazhim i LSI-së për mirëqeverisjen e vendit. Në fjalën e tij, Meta tha se nuk është vetëm Angjeli i përfolur gjatë këtyre kohëve, por ai e përmend më shpesh për shkak të alfabetit shqiptar, pasi Anastas Angjelit emri dhe mbiemri i fillojnë me A. Meta është shprehur se Qeveria aktuale ka zhgënjyer socialistët, pasi nuk ka punuar për ta. Ndaj dhe investimet janë tepër të vogla. Një tjetër pikë, ku ka këmbëngulur dje Meta, ka qenë dhe bashkëpunimi i kryetarit të PS-së dhe atij të PD-së për të miratuar Kodin e ri Zgjedhor. Sipas Metës, të dy partitë kanë përjashtuar LSI dhe LZHK nga monitorimi i zgjedhjeve, pasi kanë si synim manipulimin e tyre. Megjithatë, Meta tha se LSI në zgjedhjet e ardhshme do të dalë parti kryesuese. Ndaj, ai është shprehur se me programin e kësaj partie si dhe me kandidatët që do të propozohen, zhvillimi dhe integrimi i vendit në BE do të ecë me hapa tepër pozitiv. Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallur si prioritet miratimin në Kuvend të ligjit të konfliktit të interesave. LSI do të kërkojë që ky draft të miratohet para përfundimit të legjislaturës së Kuvendit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›