Nano sulm ministrave.Përgjigjuni akuzave
14/01/2005 Partia Socialiste do të zhvillojë vetëm dy muaj fushatë elektorale. Kryesia e mbledhur dje vendosi shtyrjen e datës së kongresit të kësaj partie për në muajin prill, kjo ka sjellë një ngushtim të afateve për fushatë për garën elektorale. Në fjalën e mbajtur në nisjen e mbledhjes, Kryeministri Fatos Nano ka kërkuar angazhim më të madh të përfaqësuesve të PS-së në debatet politike. Burime në PS-së bëjnë të ditur se Nano ka kritikuar në përgjithësi ministrat e kabinetit të tij, duke theksuar se "kur ju akuzojnë, nuk mund të përgjigjem vetëm unë. Nuk duhet të silleni si teknicienë dhe të angazhoheni vetëm kur ka fushata elektorale". Ky ka qenë paralajmërimi i parë që Nano u ka bërë ministrave të tij, mbi akuzat që janë hedhur së fundi. Ndërkohë, data e përfundimit të analizave të qeverisë do të jetë më 25 janar, pas kësaj Nano do të nxjerrë konkluzionet, ku do të vendosë për ndryshimin e ministrave. Ndërkohë dhe struktura më e re në PS-së, ajo e KZE-ve, nuk do të jenë të kondicionuara nga lista për kandidatë për deputetë, por nga ndarja e zonave elektorale.