E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të mos bëjmë llogaritë elektorale me statusin për në BE

Meta dje në Jalë me LRI

Kryetari i LSI-së, takim me të rinjtë e LRI-së në Jalë.

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje se partitë politike nuk duhet të cenojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, për ta përdorur atë si një kartë dështimi në zgjedhjet e 2013-s. Ilir Meta, apelin e tij e lëshoi dje nga bregdeti i Jalës, në një aktivitet të Lëvizjes Rinore për Integrim, ku tha se klasa politike nuk duhet të cenojë festën e madhe të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar me një politikë mendjengushtë dhe afatshkurtër. Ethet e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe llogaritë elektorale të 2013-s asnjë forcë politike të mos i bëjë në dëm të statusit kandidat për në Bashkimin Europian, që vendi duhet të marrë në vjeshtën e këtij viti, në mënyrë që ta festojmë të gjithë 100-vjetorin e Pavarësisë. Jo vetëm me krenarinë për të gjithë ata breza, gjenerata patriotësh, të cilët krijuan me aq mund dhe sakrifica shtetin tonë, por njëkohësisht edhe për të pasur një vlerësim sado minimal për klasën e sotme politike, e cila nuk duhet që të cenojë këtë festë të 100-vjetorit me një politikë mendjengushtë dhe njëkohësisht afatshkurtër, e cila më shumë se sa për të rritur dinjitetin e vendit në raport me familjen europiane, edhe në raport me rolin që Shqipëria luan për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit, deklaroi Meta. Lideri i LSI-së u shpreh se është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje brenda javëve të para të shtatorit për çështjen e imuniteteve, duke konsoliduar kështu mundësitë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ndaj është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje e domosdoshme brenda javëve të para të shtatorit për çështjen e imuniteteve, në mënyrë që të konsolidohet mundësia për marrjen e statusit kandidat, sepse përfitimet e Shqipërisë janë të shumta, ashtu sikurse çdo vonesë do të jetë e kushtueshme dhe me pasoja afatgjata, deklaroi kryetari i LSI-së. Lëvizja Rinore për Integrim po organizon një kamping rinor në bregdetin e Jalës, aktivitet ky i cili tashmë është bërë një traditë në LRI. Me qindra të rinj nga e gjithë Shqipëria, anëtarë dhe simpatizantë të Forumit Rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë në këtë kamp rinor, ku aktivitetet politike, kulturore dhe argëtuese janë kryefjala e 5 ditëve të qëndrimit në bregdetin e bukur të Jonit. Kampingu LRI-Jalë 2012, i organizuar nga të rinjtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, përveç karakterit argëtues, ka edhe shumë organizime politike. Personalitete të rëndësishme të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të mbajnë para të rinjve nga e gjithë Shqipëria fjalime mbi çështjet më të rëndësishme të politikës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›