E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Të votojmë tri ligjet, por hyrja në fuqi në legjislaturën e re

Në Ditën e Evropës, kreu i LSI-së, Ilir Meta ka ripërsëritur apelin e tij ndaj dy krerëve të partive më të mëdha të vendit PD-PS, për të votuar tri ligjet e integrimit.

Në një komunikim për gazetarët nga zyrat e selisë së LSI-së, Meta, duke i kthyer përgjigje kryeministrit Berisha, sqaroi se opozita është e gatshme të votojë ligjet me kushtin e vetëm që ato të hyjnë në fuqi në nisjen e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, në vjeshtë, me qëllim shmangien e keqpërdorimit.

“Është për të ardhur keq që sot, në vend që të merreshim me angazhime konkrete për të hedhur hap tjetër drejt BE, dëgjuam një retorikë të përsëritur akuzash, për fajësime, për bllokimin e procesit, ndërkohë që prej disa kohësh LSI ka propozuar një kompromis tepër të arsyeshëm, që ndihmon për kapërcimin e ngërçit politik për miratimin e tri ligjeve, që konsiston në miratimin e tyre brenda përfundimit të mandatit të Parlamentit ekzistues, por me të vetmin ndryshim që ata të hyjnë në fuqi me Parlamentin e ri, me muajin shtator. Kjo është argumentuar me rrezikun që vjen nga keqpërdorimi i miratimit të ligjit për Gjykatën e Lartë, pra me rrezikun që sikurse e keni vënë re se disa emërime në postet me të larta kanë karakter të ngushtë partiak që nuk do i shërbente zbatimit të ligjit në frymë evropiane”, tha Meta.

Meta ftoi krerët e partive kryesorë në vend që të mblidhen ditën e enjte në orën 10:00 për të bashkërenduar qëndrimet dhe për të vendosur për miratimin e tr ligjeve.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me sondazhin e kryer nga instituti italian “Piepoli’, i cili nxjerr fitues të zgjedhjeve koalicionin e majtë me 9 % diferencë, Meta u shpreh i bindur se diferenca do jetë më e thellë, duke shtuar se anketimet janë bërë shumë kohë më parë./Indeksonline/  
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›