Banorët e Rogovës i gëzohen komunës së re

Mirëpritet vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e Hasit komunë në vete. Banorët e kësaj zone shprehen optimist se Hasi mund të jetojë si komunë më mirë se disa komuna të tjera të rajonit. Kreu i Komunës së Prizrenit, uroi hasjanët për komunën e re, ndërsa tha se do të vazhdojë të investojë deri në ndarjen përfundimtare të Hasit.
Banorët e fshatit Rugovë të Hasit gjatë tërë ditës kanë uruar njëri-tjetrin për shpalljen e Hasit komunë. Përfaqësuesi i fshatit, Nexhmedin Berisha tha se, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur Hasin komunë, ka qenë lajmi më i mirë, që banorët e këtij fshati kanë përjetuar deri më tash. “Na ngelet të punojmë, që edhe Hasi të zhvillohet si çdo komunë tjetër“,tha ai.
Plaku Rustem Hoti është i lumtur që e ka përjetuar për herë të dytë që ta shohë Hasin komunë në vete. Ai bashkë me banorë të tjerë thonë se, mund te jetojnë më mirë se disa komuna të tjera përreth, transmeton Rtk.
Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ka uruar hasjanët për komunën e re. Ndërsa tha se, Hasi e ka merituar që, të shpallet Komunë, pasi i ka të gjitha potencialet për të funksionuar si e tillë.
Zona e Hasit ka rreth 40 fshatra me mbi 43 mijë banorë. Banorët e kësaj zone merren me bujqësi, shumë pak me blegtori, ndërsa burim kryesorë të jetesës kanë prodhimet e brumërave. Pjesa më e madhe e Hasjanëve jetojnë në diasporë, ku edhe atje zhvillojnë bizneset e tyre kryesisht me furrat e bukës.
Por nëpërmjet një komunikate për media, Haziz Hodaj nga LDK-ja vendimin e Qeverisë e ka quajtur të ngutshëm të befasishëm dhe të dakorduar me individë anonim të Hasit e jo me përfaqësues legjitim të vendbanimeve të Hasit./Indeksonline/