Aktakuza për 13 pjesëtarë të “Mafies së Frankfurtit”

Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka ngritur aktakuza kundër 13 personave të përfshirë në rrjetin kriminal të ashtuquajtur “Mafia e Frankfurtit”.
Grupi përbëhet nga kriminelë maqedonas të dyshuar për pastrimin e parave dhe shitjen e lëndëve narkotike në Vjenë të Austrisë.
Grupi ishte i organizuar në mënyrë perfekte. Një pjesë e anëtarëve shisnin drogën e llojit heroinë në sasi të vogla nëpër rrugët e Vjenës, ndërsa më pas përmes transferteve bankare i dërgonin paratë në Maqedoni. Gjashtë nga të ndaluarit u kapën në Maqedoni, gjashtë të tjerët nga policia austriake, kurse njëri anëtar i grupit është ende në arrati.
Si transmeton agjencia Ina, aksioni i arrestimeve u realizua në qytetet Shkup, Veles dhe Shtip, përmes një operacioni të bashkërenduar me policinë austriake dhe Europolin. Të ndaluarit janë të moshave prej 20 deri në 40 vjeç./Indeksonline/