Kosova dhe Serbia shkëmbejnë diplomatët në qershor?

Përfaqësuesit e zyrave ndërlidhëse të Kosovës dhe Serbisë, Lulzim Peci dhe Dejan Pavicevic, kanë biseduar në Beograd për detajet teknike të pozicioneve të tyre.
Sipas mediave serbe, Peci ka qëndruar në ditët e kaluara në kryeqytetin serb për të parë zyrat e tij. Me të njëjtin qëllim, në Prishtinë ka qëndruar edhe Pavicevic.
Pavicevic i ka thënë Tanjugut se takimi me Pecin është zhvilluar në zyrën e delegacionit të BE-së në Beograd dhe se në takim ka marrë pjesë edhe shefi i këtij delegacioni, Vincent Deger.
“Është biseduar rreth disa çështjeve teknike… Ka qenë takim korrekt”, është shprehur Pavicevic.
Ai ka thënë se pret që shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës të bëhet deri në fund të qershorit.
Emërimi i zyrtarëve ndërlidhës të të dyja vendeve ka qenë pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Dacic, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian./Indeksonline/