E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikimi, “të varfrit” e Tiranës, me makina dhe prona

Njësitë bashkiake përjashtojnë familjet e para që rezulton se kanë abuzuar. Verifikimi i dokumenteve, banorët kanë përfituar nëpërmjet deklarimeve të rreme

Emanuela Sako

Verifikimet mbi dokumentacionin e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike ka rezultuar i kundërt. Të “varfrit” jo vetëm që nuk kanë qenë të tillë, por kanë rezultuar me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Rreth 15 persona në Njësinë Bashkiake Nr. 9 kanë dalë nga skema e përfitimit të ndihmës ekonomike për shkak se kanë rezultuar të kenë prona. Këta persona kanë përfituar për disa kohë ndihmë ekonomike në mënyrë të padrejtë, pasi deklarimet e të ardhurave dhe pasurive kanë qenë të rreme. Pas verifikimeve që janë bërë nga njësitë kanë dalë se në pronësi të tyre kanë qenë truall, shtëpi, apo makina. Në bazë të ligjit, këtyre personave nuk u takon që të trajtohen me ndihmë ekonomike. Burime pranë Njësisë Bashkiake Nr. 9 sqarojnë se konfirmimi për abuzime ka ardhur nga verifikimet që janë bërë nga Hipoteka dhe se këta persona kanë pasur në pronësi më shumë nga çfarë kishin deklaruar.
Skema
Aktualisht në këtë njësi trajtohen me ndihmë ekonomike 350 persona. Këtu përfshihen dhe hyrjet apo daljet nga skema. Ndërkohë që fenomeni i abuzimit dhe deklarimeve të rreme janë bërë të zakonshme nga qytetarët, pasi edhe në njësitë e tjera në vazhdimësi janë verifikuar raste të tilla. Sipas procedurave, personi që kërkon të trajtohet me ndihmë ekonomike jep të dhënat në njësinë përkatëse dhe më pas njësia bën verifikimet. Por verifikimet kryhen sipas institucioneve përkatëse që merren me ndihmën ekonomike dhe janë vetë punonjësit e njësisë që shkojnë në çdo shtëpi për të kryer verifikimin në terren të gjithë personave që kërkojnë të trajtohen me ndihmë ekonomike.
Kategoritë e reja
Skema e ndihmës ekonomike për këtë vit pritet të shtojë në listë disa kategori të reja. Ministria e Punës ka identifikuar disa kategori qytetarësh në nevojë, që pritet t’i shtohen numrit të përfituesve të ndihmës ekonomike. Jetimët dhe viktimat e trafikimit janë dy kategoritë e reja përfituese të ndihmës ekonomike. Për këto dy kategori është propozuar që në Nenin 5 të Ligjit 9355 të ndihmës ekonomike, përveç “Familjeve që nuk kanë të ardhura ose që janë me të ardhura të pamjaftueshme”, “Jetimët mbi 25 vjeç, të papunë, të cilët nuk janë në institucione ose nën kujdestari” si dhe “Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë”, të shtohen edhe dy kategori të reja përfituesish të ndihmës ekonomike, që janë: jetimët që cilët nuk janë në institucione dhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdeset shoqëror. Në Ligjin bazë 9355, Neni 19, pas pikës 3, propozohet të shtohet një pikë e re (pika 4), ku përcaktohen pesë grupet të reja që do të favorizohen në procesin e llogaritjes së përfitimit së ndihmës ekonomike. Grupet që do të favorizohen përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së të dy prindërve; si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur njëri prej prindërve është dënuar për vepra penale ose kundërvajtje penale me vendim të formës së prerë të gjykatës, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur një prindi i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension si dhe kur ka anëtarë e familjes së tij janë mbi moshë pune dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pensione.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›