Meta: Tërheqja e Zaganjorit, personale. Tashmë vendos parlamenti
Ilir Meta është shfaqur me një çehre të ngrysur në një konferencë për shtyp, për të komentuar tërheqjen e Xhezair Zaganjorit. Ai ka thënë se tërheqja e tij ka qenë personale. Sipas Metës, tashmë sovran mbetet parlamenti, megjithëse nuk e ka përjashtuar që mund të ketë edhe diskutime për gjetjen e një kandidati konsensual.
Duke u njohur me tërheqjen nga kandidimi për president të z. Xhezair Zaganjori, e cila ka qenë një iniciativë tërësisht sovrane e tij dhe që konfirmon, edhe një herë, integritetin dhe personalitetin e tij dhe faktin që ai nuk e kërkoi këtë pozitë por iu kërkua për hir të një konsensusi të gjerë për të marrë postin më përfaqësues, atë të Presidentit të Republikës. Theksoj edhe një herë tjetër që mazhoranca, në kërkesën e saj drejtuar z. Zaganjori, ka qenë tepër e interesuar për ti shkuar deri në fund zgjedhjes së kësaj kandidature, duke vlerësuar të gjitha ato cilësi që i kemi përmendur edhe më parë, të cilat e bënin mjaft të kompletuar këtë figurë për këtë post dhe njëkohësisht e bënin tepër konsensuale edhe për opozitën e cila e kishte votuar në Parlament si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, shumë vite më parë. Ndaj, kjo tërheqje meriton një vlerësim, të paktën nga ana ime dhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe njëkohësisht është edhe një mesazh për të gjithë klasën politike për të reflektuar, për të bërë edhe ndonjë përpjekje tjetër për konsensus, por në fund të fundit, për ti hapur rrugën zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi ku sovrani mbetet parlamenti, tha Meta.
Opozita ka qenë e përfshirë në të gjithë këtë proces. Opozita ka humbur një rast të mrekullueshëm për të dhënë konsensusin e saj për këtë kandidaturë. Unë shpreh keqardhjen e thellë. Kërkesat që mazhoranca të propozojë një kandidaturë të ngjashme me atë të z. Zaganjori nuk mendoj se kanë qenë tepër solide, kur ne paraqitëm një kandidaturë tepër konkrete, që e kishte votuar në Parlament opozita e sotme dikur mazhorancë. Natyrisht që kjo çështje do të zgjidhet. Unë shpresoj përsëri që të ecet me përpjekje për konsensus por konsensusi dhe kapriçot përjashtojnë njëra-tjetrën. Megjithatë, më të drejtpërdrejtë lidhur me ecurinë e mëtejshme do të jemi nesër, sepse kuptohet që ne jemi në një koalicion. Ne do të konsultohemi dhe do të diskutojmë gjatë ditës së nesërme dhe pasnesërme dhe kështu me radhë. Megjithatë do të gjejmë një zgjidhej dhe parlamenti do të jetë sovran. Kjo është e sigurt, vijoi Meta.