Nano përshëndet tërheqjen e Zaganjorit dhe fton Ramën ta kandidojë
Kandidati i vetëshpallur në garën për president ka reaguar pas tërheqjes nga gara të Xhezair Zaganjorit.
Fatos Nano përshëndet aktin e përgjegjshëm dhe atdhetar prej dinjitari shtetëror të zotit Xhezair Zaganjori për tërheqjen nga kandidimi i propozuar për detyrën e Presidentit të Republikës.
I bën thirrje e inkurajon Edi Ramën që së bashku me grupin kuvendor të PS, por edhe me të gjithë përfaqësuesit politike në Kuvend, kryetarët e partive të tjera kuvendore, ta gjejnë konsensusin tek dhe me Fatos Nanon. Fatos Nano është i vendosur të jetë mirëbesues deri në momentin e fundit tek vullneti dhe mundësitë e Edi Ramës dhe i deputetëve të Partisë Socialiste, se së bashku do ti japim zgjidhje ngërçit politik në Shqipëri duke mbështetur Fatos Nanon në kandidimin për President.
Fatos Nano do të tërhiqet nga gara vetëm në momentin kur rebusi dhe ngërçi i zgjedhjes së Presidentit do të marë fund. Fatos Nano është zgjidhësi i krizës dhe i ngërçit, e si i tillë do të vazhdojë të qëndrojë i vetëofruar para Partisë Socialiste, deputetëve socialiste, kryetarëve të partive parlamentare, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, publikut shqiptar, sepse vetëofrimi i tij është për të shërbyer e kontribuar me përkushtim e mirëbesim për zgjidhje konfliktesh, e jo shtim konfliktesh të cilat po vrasin të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shpresën e të gjithë shqiptarëve, thuhet në njoftim.
I bën thirrje dhe e inkurajon Sali Berishën që së bashku të vazhdojnë bashkëpunimin dhe japin zgjidhje prej shtetarësh duke mos cenuar ekuilibrat dhe duke mos dëmtuar asnjë aktor apo faktor politik në Shqipëri. Marrëveshjet dhe bashkëpunimet mes shtetarëve janë për zgjidhje në të mirë të vendit e kurrsesi në dëm të aktorëve e faktorëve të tjerë politikë.
I bën thirrje Ilir Metës që të luajë rolin e tij të domosdoshëm pozitivizues në këtë moment të rëndësishëm për vendin. Shanset janë të mëdha për zgjidhje, e së bashku mund të vazhdojmë ti japim vendit zgjidhjet më të mira.
I bën thirrje Edi Ramës që të mos i shmanget garës dhe përfaqësimit, por së bashku ta bëjmë vendin të jetë krenar për historinë e Partisë Socialiste dhe të ardhmen e saj, mbyllet njoftimi.