E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova në zi, nderohen viktimat e lumit Tisë



Blerina Olldashi

Kosova dje ka mbajtur zi për të nderuar viktimat e fatkeqësisë në lumin Tisa të Hungarisë, ku gjatë kalimit ilegal të kufirit Serbi-Hungari kanë humbur jetën 8 persona. Presidenti Fatmir Sejdiu, e ka shpallur të hënën ditë zie shtetërore dhe flamuri shtetëror i ulur në gjysmështizë, mediat televizive dhe të përditshmet kosovare, në logon dhe ballinat e tyre mbajtën një shirit të zi, si dhe pezullimi i aktiviteteve nga pjesa më e madhe e partive politike për fushatën elektorale për zgjedhjet e nëntorit, karakterizojnë ditën e djeshme në Kosovë. Kuvendi i Kosovës nisi seancën e tij plenare me një minutë heshtje, si shenjë nderimi për viktimat e Tisës. “Ju lus që me një minutë heshtje t’i përkujtojmë viktimat e tragjedisë së lumit Tisa”,- ishte fjalia me të cilën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, hapi punimet për seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës. Fundosja e barkës, në të cilën dyshohet të kenë qenë diku 19 persona, ka ndodhur në mes të muajit tetor, ndërsa konfirmimet zyrtare për këtë ngjarje kanë ardhur pas dy javësh.
Autoritetet kosovare dhe ato hungareze, policitë e të dyja vendeve dhe misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kanë nisur bashkëpunimin për t’i zbardhur rrethanat që shkaktuan tragjedinë dhe për të gjetur personat përgjegjës që organizuan kalimin. Ndërkohë gjatë dy ditëve të fundit janë gjetur edhe tre trupa të pajetë të cilët supozohet se i takojnë grupit të shqiptarëve të Kosovës të mbytur para dy jave në lumin Tisa. Sipas gazetës “Blic” të Beogradit, e cila i referohet të dhënave të organeve hetuese, një trup mashkulli të shtunën është gjetur afër qytetit Senta, kurse të dielën para dite, afër lokalitetit Adorjan të komunës Kanjizha, nga lumi është nxjerrë një trup i pajetë i një fëmije. Ndërkohë afër Novi Knezhevcit peshkatarët kanë gjetur trupin e një gruaje të moshës 20 deri 30 vjeçe. Me urdhër të gjyqtarëve hetues në Sentë, Kanjizha dhe Novi Knezhevac, trupat e të mbyturve janë dërguar në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Novi Sad.
Gjyqtari hetues ka deklaruar se nga pesë të mbyturit, të nxjerrë nga lumi Tisa në territorin e komunës së Kanjizhës, është bërë identifikimi i tre prej tyre, dhe se po punohet në identifikimin e një vajze të moshës rreth dhjetë vjeçe, e cila është gjetur afër Adorjanit më 27 tetor, si dhe të djali të gjetur të dielën po në të njëjtin lokalitet. Deri më tani në pjesën e Tisës që kalon nëpër Vojvodinë, janë gjetur tetë trupa të pajetë, ndërsa sipas të dhënave të njoftuara më herët, në pjesën hungareze të këtij lumi janë gjetur tre trupa. Të zhdukur edhe 5 të tjerë.

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›