Meta-Van Baalen: Shqipëria në rrugën e duhur, shpejtoni ritmin

Në kuadër të një vizite dyditore në Mbretërinë e Vendeve të Ulta, Kryetari i Lëvizjes Socialiste z. Ilir Meta u takua sot në Hagë me eurodeputetin liberal, Hans Van Baalen, të cilin e informoi rreth zhvillimeve të fundit pozitive në Shqipëri dhe mbi kontributin që Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të japë në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit.
Z. Meta u shpreh se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat brenda këtij viti dhe në këtë kuadër kërkoi mbështetjen e z. Van Baalen në Parlamentin Evropian, por edhe në spektrin e brendshëm politik të Vendeve të Ulta për përmbylljen me sukses të këtij procesi. Meta gjithashtu vlerësoi se shqiptarët u sollën si evropianë pas liberalizimit të vizave, duke u qëndruar strikt afateve kohore të përcaktuara.
Z. Meta dhe z. Van Baalen diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, vecanërisht mbi ecurinë e realizimit të reformave të nisura në kuadër të integrimit evropian të vendit.
Gjatë bisedimeve Meta shtroi nevojën për përmbyllje urgjente të reformës elektorale, ndërsa shtoi se forca e tij politike që kryeson ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut pozitiv për stabilitetin e vendit.
Të dy bashkëbiseduesit në fund ndanë mendimin se Shqipëria është në rrugën e duhur, por duhet ritëm më i shpejtë.