Meta: Vendet e Ballkanit, anëtarësim në BE brenda 2014-s
Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian do të përfundojë brenda vitit 2014. Kjo ishte deklarata për të cilën numri dy i qeverisë "Berisha" dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u përqendrua në konferencën për shtyp pas kthimit nga Turqia, ku mori pjesë në takimin informal të ministrave të Jashtëm. Shefi i diplomacisë shqiptare përshëndeti deklaratën e Kryeministrit më të ‘ri‘ të botës, Jorgo Papandreu, i cili kërkoi që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në Bashkimin Europian brenda vitit 2014. "Përshëndes idenë dhe angazhimin e Kryeministrit grek Papandreu, për t‘i dhënë një nxitje të re procesit të zgjerimit të BE-së, ashtu sikurse iu dha edhe në Samitin e Selanikut, me qëllim që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE të përfundojë brenda vitit 2014, që koincidon me 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, e cila nisi nga Ballkani", tha Meta. Ministri i Jashtëm bëri me dije se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë të shkëlqyera dhe konfirmoi se në vizitën e tij në Stamboll u takua me Kryeministrin e ri të Greqisë dhe ministrin e Jashtëm të vendit tonë fqinj. "Ishte kënaqësi për ta uruar Papandreun, njëkohësisht ishte kënaqësi për të biseduar gjatë me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë. Të jeni të sigurt se marrëdhëniet do jenë të shkëlqyera, transparente dhe të udhëhequra edhe nga vizionet europiane", tha Meta. "Do të vlerësoja faktin që edhe pse në ditët e para të një angazhimi të ri dhe me shumë sfida të brendshme, ai gjeti kohën dhe vizitën e parë e bëri në Turqi, duke dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, si dhe duke treguar vullnetin për të gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe europiane për Qipron", tha Meta. Ministri i Jashtëm bëri me dije se marrëdhëniet midis dy qeverive dhe dy vendeve do të jenë të shkëlqyera, pavarësisht se nuk do të mungojnë provokimet e herëpashershme nga ndonjë segment destruktiv, që synon të mbijetojë në politikën shqiptare, duke u marrë me të kaluarën. Lidhur me pyetësorin, zv.kryeministri Meta garantoi se qeveria e tij dhe dikasteri që ai drejton do të angazhojë të gjitha kapacitetet e mira me të gjitha fushat që kanë të bëjnë me integrimin europian pa asnjë paragjykim. Po kështu, ministri i Jashtëm komentoi edhe vizitën në Stamboll. "Me këtë rast shpreh kënaqësinë, që pas një jave, ftesës sime iu përgjigj shumë pozitivisht edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, i cili do të vizitojë vendin tonë së shpejti. Ndërkohë që gjatë javëve që vijnë, presim edhe shumë vizita të tjera të rëndësishme në kuadrin e intensifikimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me gjithë vendet e rajonit, me gjithë vendet e Europës dhe me gjithë vendet e tjera me peshë të rëndësishme në politikën botërore dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, sikurse do të jetë rasti për të pritur këtu shumë shpejt, zv.kryeministrin e Kinës", tha Meta. Ministri i Jashtëm i Turqisë do të vizitojë Tiranën në datën 18 tetor.