Meta: Vendi i opozitës është në Kuvend
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, komentoi dje protestën paqësore të ideuar nga Partia Socialiste për të kërkuar hapjen e kutive të votimit. Kryetari i LSI-së bëri me dije se demokracia funksionon dhe këtë gjë e tregon shumë mirë fakti që është lejuar kjo protestë. Meta, në gjykimin e tij, e cilëson absurde qëllimin e kësaj proteste, duke argumentuar edhe arsyet që e çojnë shefin e diplomacisë në këtë analizë. "Protesta është absurde, sepse nëse ka disa probleme me zgjedhjet e 28 qershorit këto vijnë si një përgjegjësi kryesore të kryetarit të PS-së, i cili ka diktuar Kodin Zgjedhor dhe procesin e administrimit të zgjedhjeve", u shpreh Meta, duke shtuar se vendi i opozitës është në Parlament. "Unë përshëndes vendimin e Kryeministrit Berisha për t‘i dhënë një shumicë në komisionin hetimor, edhe pse s‘do të ishte normale, opozita gjithmonë ka pakicën", tha Meta. LSI, tashmë pjesë e qeverisë, duket se ka gjetur pothuajse të njëjtën forcë të hakmarrjes, të cilën e përdori PS-ja në kohën kur LSI-ja hyri në grevë në sallën e Kuvendit për të kundërshtuar reformën zgjedhore. Shefi i diplomacisë, njëkohësisht edhe kryetar i LSI-së, i bëri komentet për protestën paqësore të PS-së vetëm pak minuta përpara fillimit të saj. "Shqipëria ka vetëm një axhendë, atë të reformave dhe integrimit, kush dëshiron që krizën e tij ta kthejë në krizën e vendit, e ka gabim se do ngelet i izoluar", tha Meta.