Qeveria i jep KQZ 65 milionë lekë për partitë
Qeveria miraton fondin e partive politike që do të përfitojnë në fushatën elektorale, si dhe shtesë në vetë buxhetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas marrjes së vendimit nga ana e Kuvendit, përcaktimin e fondit prej 65 milionë lekësh, Qeveria e ka noterizuar një vendim të tillë, duke plotësuar kërkesën e KQZ-së. Në mbledhjen e mbrëmshme, Këshilli i Ministrave miratoi një shtesë në fondin e KQZ-së që kap vlerën e 165.000.000 lekësh të reja. Nga ky fond, 90 milionë lekë do të përdoren për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore, ndërsa 10 milionë lekë do të përdoren për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve. Pjesa tjetër prej 65 milionë lekësh do të shkojë për shpërndarjen e fondit të subjekteve zgjedhore për të përballuar fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas vendimit të qeverisë, fondi prej 165 milionë lekësh do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Në relacionin e saj qeveria kishte parashikuar një fond prej 600 milionë lekësh, duke llogaritur 150 milionë lekë për paga, 231 milionë lekë shërbime dhe 219 milionë lekë investime. Ministri i Financave thekson se duke qenë se buxheti i miratuar në 2009-ën u realizua përpara se të miratohej Kodi Zgjedhor, atëherë u lind e drejta për të marrë një vendim për shtesë fondi, pasi KQZ-ja ka parashikuar në buxhetin e saj shifrën prej 714 milionë lekësh, ku 245 milionë lekë janë për paga, 250 milionë lekë për mallra e shërbime dhe 219 milionë lekë janë parashikuar në zërin e investimeve. KQZ-ja kishte kërkuar pikërisht këtë shtesë fondi, e cila u pranua nga vendimi i Qeverisë. Tani KQZ-së nuk i mbetet gjë tjetër veçse të realizojë shpërndarjen e fondit prej 65 milionë lekësh për partitë politike që marrin pjesë në këto zgjedhje.