E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta, Rama: Nuk jemi për dialog të kushtëzuar

Partia Socialiste ka mbyllur dje në Tiranë turin e saj të protestave njëjavore, nga sheshi përballë Kuvendit

"Ne jemi gati për një dialog demokratik, të barabartë, të vërtetë dhe të hapur për çdo zgjidhje të krizës"

TIRANË - Partia Socialiste ka mbyllur dje në Tiranë turin e saj të protestave njëjavore, duke i dhënë fund gjithashtu për këtë vit edhe një sezoni të gjatë manifestimesh që nisën në muajin tetor në kërkim të transparencës së zgjedhjeve.

Nga sheshi përballë selisë së seancave plenare të Kuvendit, drejtuesit socialistë të mbështetur edhe nga qindra qytetarë, duke denoncuar krizën politiko-ekonomike, që ka përfshirë vendin, i kanë bërë edhe një herë thirrje kryeministrit Sali Berisha ose të hapë kutitë e votimit ose të largohet nga pushteti. Tubimin e ka hapur pikërisht kreu i socialistëve të kryeqytetit, Besnik Bare,

dhe e ka mbyllur kreu i socialistëve të të gjithë Shqipërisë, Edi Rama, i cili edhe një herë në fjalën e vet ka parashtruar në mënyrë të detajuar të gjitha format e shfaqjes së krizës së demokracisë në vend, por duke vënë theksin më shumë tek aspekti ekonomik i saj.

Kështu, duke përfituar edhe nga fakti se mitingu mbahej përpara godinës së shoqatës së të përndjekurve politikë, kreu socialist, Edi Rama, e ka nisur fjalën e vet pikërisht me problemin e kësaj shtrese, e cila edhe gati 20 vjet nga rrëzimi i sistemit komunist, nuk kanë mundur ende të rehabilitohen, por endet akoma nëpër greva urie në kërkim të dëmshpërblimit të tyre për vitet e vuajtjes në burgjet e diktaturës.

"I them nga ky shesh komunistit të fundit që drejton qeverinë në kontinentin evropian dhe që e ka rifutur këtë vend në rrugën e greminës politike dhe ekonomike: Eja takoji këta njerëz të shkretuar nga diktatura e partisë tënde të parë dhe tallja e partisë tënde të dytë! Eja nxirri nga kjo grevë e dëshpëruar urie në mes të katër rrugëve dhe dhuroju të paktën një fjalë të mirë këtyre njerëzve të sakatuar", - tha në fjalën e vet Rama.

Më pas, ai ka komentuar edhe faktin që ndërsa fqinjët tanë serbët, malazezët dhe maqedonasit prej të premtes së shkuar mund të udhëtojnë të lirë në vendet e zonës së Shengenit, shqiptarët duhet të qëndrojnë ende të izoluar, duke akuzuar për këtë privim që i bëhet Shqipërisë qeverinë, e cila, sipas tij, e ka lënë vendin tonë të fundit në Ballkan. "Serbët, maqedonasit, malazezët, u gdhinë dje pa kufij me Evropën, pasi festuan gjithë natën.

Të fundit kemi qenë gjithmonë, tha dje në mëngjes kur u zgjua nga gjumi Iliri i Saliut. Kjo është përgjigja e këtij pushteti të grabitur dhe e kësaj qeverie të ngritur mbi tradhtinë ndaj popullit opozitar, për çdo shqiptar që pyet veten si ka mundësi që mbetëm të fundit, pa liridalje nga vendi ynë për në Evropë edhe njëzet vjet pas shembjes së diktaturës së telave me gjemba", - shtoi kryesocialisti.

Por, më e keqja për socialistët nuk ka të bëjë vetëm me faktin se vendi ynë sot gjendet i fundit në rajon, por se situata aktuale paralajmëron një përkeqësim edhe të mëtejshëm të treguesve ekonomik dhe politik të vendit në vitin që po troket. Sipas shefit të selisë rozë, janë një sërë treguesish që falë paaftësisë së kësaj qeverie për t'i bërë ballë, e bëjnë të ardhmen e shqiptarëve edhe më të vështirë dhe më të pashpresë.

Rama ka renditur nder të tjera faktin se shqiptarët, qofshin këta familjarë apo përfaqësues të bizneseve, falë rritjes së çmimit të energjisë do të duhet të përballen me një kosto më të lartë jetese dhe kosto më të lartë për produktet e tyre.

Duke u ndalur pikërisht te çështja e energjisë, ai ka theksuar edhe një herë se rritja reale e saj nuk është 13 për qind sa dhe është deklaruar nga qeveria, por plot 22 për qind, duke përfshirë këtu edhe TVSH-në.

Një tjetër problem ka theksuar kryesocialisti është edhe ai i taksave për bizneset, të cilat pavarësisht vendimit të fundit të kreut të qeverisë për t'i paguar sërish në njësitë vendore, nuk do të mund të sjellin një efekt lehtësues për bizneset.

"Kryeministri pinok i Shqipërisë bëri një tërheqje të imponuar nga presioni i kryetarëve të bashkive e komunave të opozitës lidhur me taksën e biznesit të vogël. E cila do të vazhdojë të mbetet një taksë vendore edhe për bizneset me mbi 5 milionë lekë. Por ky fakt nuk e shpëton aspak biznesin e vogël me mbi 5 milionë lekë nga falimentimi apo rritja e çmimeve.

Sepse Pinoku që kemi kryeministër tha sot një tjetër gënjeshtër të madhe të radhës kur deklaroi se me këtë tërheqje po mbështet biznesin e vogël përderisa, në të vërtetë, nuk u tërhoq as nga vendosja e TVSH-së e as nga tatimi i fitimit mbi këtë biznes", - deklaroi Rama.

Më tej, Rama ka përmendur edhe problemin e rënies së të ardhurave nga emigrantët, fenomen ky që kërkon një zgjidhje nga qeveria, ashtu si edhe problemi i zhvlerësimit të lekut, i cili për PS-në është kthyer në një taksë të fshehtë për shqiptarët.

E gjitha kjo mori problemesh që shqetësojnë sot shqiptarët dhe që rrezikojnë të bëhen edhe më të mprehta në fillim vitin 2010, për kreun socialistë e kanë bazën e tyre te kokëfortësia e qeverisë për të mos pranuar krizën dhe për të mos dëgjuar paralajmërimet e opozitës dhe FMN-në, si dhe te mungesa e legjitimitetit që kanë institucionet e vendit, si pasojë e vjedhjes së votës.

Prandaj, ka theksuar ai, socialistët dhe gjithë populli opozitar kërkojnë sot me ngulm ose hapjen e kutive të votimit ose largimin e kësaj qeverie. "Të gjitha përveç kutive, nuk harrojnë të thonë. Në kuti janë të gjitha, është përgjigja jonë.

Nuk doni t'i hapni kutitë? Atëherë hapini rrugën Shqipërisë për të dalë nga kriza, pa pritur që kriza të fundosë Shqipërinë. Ju nuk e shpëtoni dot vendin nga kriza ku e keni futur me verbërinë, shurdhërinë e babëzinë tuaj. Vendi mund të shpëtojë nga pasojat e paparashikueshme të krizës vetëm në qoftë se ju hapni sytë e veshët e mbyllur, pranoni krizën dhe tregoni vullnet të plotë, real, konkret, për dialog.

Ne jemi gati për një dialog demokratik, të barabartë, të vërtetë dhe të hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë që thellohet, jo për dialog të kushtëzuar me moshapjen e kutive", - tha Rama në fjalën e vet, duke siguruar edhe një herë se opozita do të qëndrojë deri në fund në këtë betejë, e cila do të intensifikohet me kalimin e festave të fundvitit.

*****************************************

Deputetët e PS-së shprehen në mbështetje të plotë të qëndrimit zyrtar të PS-së

Deputetët e PS-së: Në Kuvend, vetëm kur të hapen kutitë

TIRANË - Deputetët socialistë janë të vendosur që të qëndrojnë jashtë Kuvendit, për sa kohë mazhoranca nuk pranon që të hapë kutitë e votimit për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit. Kur mbeten edhe gati 2 muaj nga skadimi i afatit kushtetues për ligjshmërinë e mandateve, të zgjedhurit socialistë rikonfirmojnë edhe një herë betejën e tyre për transparencën e votës.

Duke folur dje në protestën e mbajtur në kryeqytet, deputetët e qarkut të Tiranës kanë deklaruar besnikërinë e tyre ndaj vendimit të marrë në fillim të kësaj legjislature për të kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre në parlament me hetimin e zgjedhjeve, si rruga e vetme për kthimin e legjitimitetit të Kuvendit. "Lëvizja jonë që ka nisur para 3 muajsh, do të vazhdojë deri në fund. Asnjë deputet nuk mund të tërhiqet! Asnjë deputet nuk mund të blihet!

Asnjë deputet nuk mund të manipulohet! Tellallët e Sali Berishës i kanë bërë hesapet pa hanxhinj! Me milionat që ata kanë vjedhur, mund të blejnë çdo gjë, po kurrsesi deputetët socialistë. Ne nuk e matim nderin me metër dhe as dinjitetin me kilogram.

Prandaj u themi: "Atë portë të parlamentit ne do ta kalojmë vetëm kur të bëhet në dritë të diellit transparenca e plotë e zgjedhjeve, vetëm kur të hapen kutitë", - tha deputeti Namik Dokle.

Ndërsa deputeti tjetër, Saimir Tahiri, gjatë fjalës së tij theksoi se protesta e opozitës është në emër të çdo shqiptari që sipas tij, proteston në heshtje kundër pamundësisë për të jetuar në një shtet që garanton të drejta të barabarta.

"Qeveria jonë ka zgjedhur të pasurohet në kurrizin e shqiptarëve. 'Hap kutitë ose largohu' është thirrja jonë, është alternativa e vetme për të shpëtuar shqiptarët nga duart e pista të këtij njeriu që nuk po ndalet pa vjedhur gjithçka në këtë vend" - theksoi Tahiri.

Në takim kanë folur edhe deputetët e tjerë të Tiranës, si Besnik Bare, Vasilika Hysi, Ditmir Bushati, Ledi Shamku, Artan Gaçi, Eglantina Gjermeni etj., të cilët, gjithashtu, kanë akuzuar qeverinë si shkaktare të krizës që ka mbërthyer vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›