E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Vendimi i Kolegjit i hap rrugën transparencës

Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e dhënë nga Kolegji zgjedhor për të rinumëruar të gjitha fletët e kontestuara. Në një konferencë për shtyp, Meta e ka cilësuar vendimin e Kolegjit si të drejtë, të logjikshëm dhe parimor pavarësisht se ky vendim nuk është i dëshiruari prej tij.

Sipas tij vendimi i djeshëm respekton jo vetëm votën e çdo qytetari po njëkohësisht i hap rrugë një transparence të plotë të numërimit të votave duke sjellë një standart të ri të zgjedhjeve në vend.
 

“Si çdo qytetar do të dëshiroja që çështja të kishte përfunduar që dje, pasi është e vërtetë që ky proces ka zgjatur përtej të gjitha parashikimeve, por jam i bindur që për rrethanat në të cilat u zhvilluan zgjedhjet dhe procesi i numërimit, kemi një diferencë shumë të ngushtë mes kandidatëve, transparenca e plotë e maksimale, e pandodhur më parë është e mirëpritur dhe e domosdoshme, jo vetëm për të mbyllur kapitullin e kontestimeve të cilitdo, por edhe për të vendosur këtë rekod të ri të transparencës”- tha Meta.

I pyetur nga mediat për ndërhyrjen e Komisionit të Venecias, Meta ka thënë se çdo sugjerim është i mirëpritur, por në fazën aktuale, gjithçka është në dorën e gjykatës supreme, në rastin konkret e Kolegji Zgjedhor.

 “Komisioni e Venecias nuk ka mundësi të luajë rol në këtë proces tërësisht kushtetues dhe në respekt të kodit zgjedhor. Komisioni i Venecias mbetet një komision i dobishëm por sugjerimet e tij do të jenë të rëndësi përsa i përket të ardhmes dhe reformës që duhet të nisë pas certifikimit të rezultateve pasi kjo është kopetencë e gjykatave shqiptare” theksoi Meta.

Ai gjithashtu ka theksuar se ata të cilët kanë paragjykuar Kolegjin pas vendimit të djeshëm kanë dështuar ndërsa ka shtuar se vendimi i ka hapur rrugën një tranparence maskimale të zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›