E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Votoni për realitetin Evropian, jo për Shqipërinë imagjinare të Berishës

DURRËS- LSI prezantoi pasditen e sotme kandidatët për deputet në Qarkun e Durrësit. Kreu i LSI-së Ilir Meta, gjatë prezantimit të kandidatëve, theksoi se bashkë me ta, do të fillojë rruga e zhbllokimit drejt integrimit ne BE. Meta theksoi se 23 qershori është një ditë e rëndësishme pasi shqiptarët do të marrin vendimin përfundimtar për situatën e tyre ekonomike dhe sociale. 

Lideri i LSI-së, vlerësoi se 23 qershori është një ditë e rëndësishme pasi shqiptarët do të marrin vendimin përfundimtar për situatën e tyre ekonomike dhe sociale. Kreu i LSI-së, sulmoi sloganin e koalicionit të djathtë, ‘Aleanca për Mirëqenie, Punësim dhe Integrim”, duke theksuar se në të ndodhen 3 problemet më të mëdha që qeveria i shkaktoi shqiptarëve. 

“23 qershori është ditë e rëndësishme që i fton qytetarët e shoqërisë për reflektim dhe para se të marrin një vendim përfundimtar në 23 qershor do pyesin vetën nëse ndihen me mirë për veten e tyre, familjet e tyre, komunitetin e tyre dhe të gjithë Shqipërinë. Tre problemet kryesore që keni ju dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë, janë të gdhendura në sloganin e PD, që tregojnë plagët kryesore të akumuluara nga qeverisja e saj, ata kanë punësimin, por shqetësimi më i madh për ju është papunësia. Ata kanë mirëqenien, por problemi kryesor është rrijta e cmimeve dhe rënia e fuqisë blerëse. Ata kanë integrimin, por javët e fundit demonstruan intolerancë të jashtëzakonshme, duke refuzuar propozimin që bëra për miratimin e ligjeve brenda përfundimit të legjislacionit së Parlamentit dhe futjen në fuqi në parlamentin e paszgjedhjeve”, theksoi Meta. 

Meta kritikoi deklaratat kryeministrit për rritje ekonomike dhe zhvillim duke i kërkuar shqiptarëve ti thonë ‘JO’, sukseseve imagjinare të Berishës. “Më 23 qershor kemi shansin të votojmë për realitetin Evropian që duam”, tha Meta. 

“Për kryeministrin tonë vetëm në fjalime dhe mitingje qytetarët janë të parët, por për të, të parët janë fishekzjarret. Qeveria është kudo në festë dhe qytetarët janë kudo me halle, ndaj më 23 qershor Durrësi dhe gjithë Shqipëria do i thonë mjaft sukseseve epike të qeverisë që do largohet. Durrësi dhe Shqipëria do zgjedhin rotacionin dhe jo ngërcin ku jemi. Do zgjedhin punësimin dhe jo stanjacionin, shtetin ligjor për të gjithë dhe jo për të gjitha pushtet në dorën e një njeriu të vetëm. Më 23 qershor kemi shansin të votojmë për realitetin Evropian që duam”, shtoi Meta. 

Meta tha se pas 23 qershorit, Shqipëria do të ecë më shpejt drejt rrugës së integrimit në BE, jo vetëm për të zhbllokuar statusin, por edhe investimet që do përfitojë vendi. 

Meta duk bërë një pasqyrim të realitetit, tha se ekonomia po vuan dhe po tregon shenja të qarta të krizës, teksa akuzoi qeverinë se ka 500 milionë euro të papaguara ndaj biznesit. Kreu i LSI-së shpaloi edhe platformën e partisë që ai drejton për zgjidhjen e situatës. 

PANARITI: LSI FITORE PLEBISHITARE
Edmond Panariti njëherësh ish-ministër i Jashtëm theksoi se LSI do të ketë një fitore plebishitare me 23 qershor. 

“LSI shkon në zgjedhjet e 23 qershorit me një fitore plebishitare, dhe ka përparësi prej rreth 200 mijë vota, për të projektuar vendin drejt një të ardhme evropiane. Ju e dini se ne kemi programin me vizionar dhe konkret që përqendrohet tek rritja e mirëqenies dhe baza e mirëqenies është rritja e punësimit”, u shpreh Panariti. 

LEFTER KOKA: BERISHA DHE PD KANË NEVOJË PËR TERAPI INTENSIVE
Deputeti Lefter Koka, gjatë fjalës së tij i bëri thirrje simpatizantëve demokratë të heqin dorë nga partia e tyre, pasi sipas tij është e papranueshme që Shqipëria ti lihet në dorë dëshirave të një personi të vetëm.

“Këtë të ardhme ua garanton ekipi ynë i LSI. Ndryshimi i qeverisë aktuale është nevojë dhe domosdoshmëri, pasi Durrësi dhe vendi janë në një situatë të papranueshme, varfëria, pasiguria dh e kaosi kanë bërë të vështirë jetën e qytetarëve shqiptarë. I bëj thirrje bashkëqytetarëve të mi demokrat partia e ëndrrave tuaja ka nevojë për terapi intensive ashtu si dhe doktori, kryeministër, pasi Shqipëria dhe Durrësi janë më të shtrenjtë se pasioni i dikujt", theksoi Koka.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›