Wollfarth: Mos sulmoni dhe njollosni njëri-tjetrin, lërini shqiptarët të votojnë
Tiranë- Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth ka kërkuar nga politikanët që të mos e ashëprsojnë gjuhën ndaj njëri-tjetrit, ndërsa ka bërë thirrje për të zgjidhur situatën në KQZ. Në një intervistë për emisionin “Bugajski Hour” në AS, ai ka folur mbi aktualitetin politik në vend, dhe për situatën parazgjedhore.
Bugajski: Është koha e karriges së nxehtë të Bugajskit. I ftuari i sotëm është Eugen Wollfarth, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Faleminderit që pranuat ftesën tonë! Mirëserdhët në emision!
Wollfarth: Faleminderit për ftesën! Është kënaqësi!
Bugajski: Disa fjalë rreth të ftuarit tonë për shikuesit. Ai ka punuar mbi 25 vjet, më korrigjoni nëse gabohem, për Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe ka përvojë të gjatë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe pozicionin e Kryetarit të Përfaqësisë Gjermane në Prishtinë dhe Drejtorit të Divizionit në Departamentin Evropian në Berlin. Erdhi në Tiranë, në shtator 2010, si kryetar i OSBE-së, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Mirëserdhët edhe një herë! Kalojmë direkt te pyetjet. Po filloj me një pyetje të përgjithshme për ata shikues, që nuk e kuptojnë çfarë është OSBE-ja. Unë kam punuar herë pas here me OSBE-në për 20 vjet dhe e kam parë të zhvillohet, veçanërisht pjesën që merret me monitorimin e zgjedhjeve. A mund të na bëni një përmbledhje të asaj çka është OSBE-ja, çfarë bën dhe pse është e rëndësishme?
Wollfarth: OSBE-ja filloi si një konferencë dhe tani është një organizatë. Si konferencë, ndihmon në gjetjen e kanaleve të dialogut midis Lindjes dhe Perëndimit, vendosjes së paqes, afrimit me njëri-tjetrin dhe përmbushjes së standardeve e të angazhimeve, për të parë zhvillime paqësore, si lirinë, demokracinë dhe një zhvillim të shëndoshë ekonomik. Këto janë zhvilluar me kalimin e kohës. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u vendos në një kohë të vështirë për Shqipërinë, me ftesë të qeverisë, në vitin 1997. Mandati ynë është të ndihmojë Shqipërinë ti përmbushë këto angazhime, sepse Shqipëria ka dashur dhe vazhdon të dëshirojë të zhvillohet, të bëjë hapa para, të stabilizojë demokracinë dhe të ketë një jetë më të mirë. Ky është roli ynë, të ndihmojmë shqiptarët dhe, meqë ra fjala, përmes një numri të madh shqiptarësh. 75% e stafit tim janë shqiptarë.
Bugajski: Sa staf keni në Shqipëri?
Wollfarth: Tani jemi 85 vetë. Kemi qenë më shumë, por kemi bërë progres, jemi bërë më efiçentë gjatë viteve dhe na kërkohet të jemi më efikas. Stafi është shumë i mirë dhe është e mrekullueshme të punosh me ta, veçanërisht këtu në Shqipëri. Është një vend që ta shpërblen.
Bugajski: Si komponent i OSBE-së, ndoshta mund tu shpjegoni shikuesve tanë diçka për zyrën me seli në Varshavë, me emrin Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR. Është ODIHR-i në fakt që monitoron zgjedhjet dhe që dërgon vëzhgues zgjedhor në vende të ndryshme, edhe pse është komponent i OSBE-së. Por unë kam një pyetje shumë specifike për komentet e kryetares të Misionit Vëzhgues të ODIHR-it në Shqipëri, Conny McCormack, e cila tha se ODIHR-i nuk bën vlerësim të zgjedhjeve dhe nuk legjitimon zgjedhjet. Megjithatë, duke qenë këtu dhe duke bërë një deklaratë për zgjedhjet, ODIHR-i kontribuon, në fakt, si në nivel ndërkombëtar, ashtu edhe atë kombëtar, për të legjitimuar apo delegjitimuar zgjedhjet. Bën më shumë se thjesht rekomandime. Është një vulë e rëndësishme miratimi ose mosmiratimi. A jeni dakord?
Wollfarth: Misionet e ODIHR-it kushtojnë. Është një punë serioze, sepse vjen nga shtetet që kontribuojnë për OSBE-në, ku përfshihet edhe Shqipëria. Pra, komuniteti ndërkombëtar i mbledhur në OSBE interesohet për Shqipërinë dhe për këtë arsye investon. Puna e ODIHR-it dhe e Prezencës së OSBE-së bazohet te mandatet. Misioni i ODIHR-it ka mandat për të monitoruar zgjedhjet dhe për të dalë në fund të procesit me rekomandime. Ne, si Prezencë e OSBE-së, punojmë me homologët tanë shqiptarë gjatë gjithë kohës dhe asistojmë në reformën zgjedhore. Një reformë e tillë u bë vitin e kaluar. Ajo u bazua në rekomandimet e ODIHR-it pas zgjedhjeve të shkuara parlamentare e vendore. Këto rekomandime përbëjnë një bazë të mirë për progres, bazuar në ngjarjet dhe faktet e vëzhguara në vend. Në to është theksuar disa herë nevoja për vullnet politik, duke filluar nga partitë politike dhe i gjithë sistemi shtetëror. Kjo na çon drejt diçkaje tejet të rëndësishme. Ne, si OSBE dhe ODIHR, si një institucion i pavarur i OSBE-së, ndihmojmë shqiptarët të arrijnë një sistem plotësisht legjitim. Duam që Shqipëria ta marrë vetë në dorë këtë proces, ku ne ndihmojmë. ODIHR-i ka një ndikim të madh stabilizues.
Bugajski: Aty ku dua të dal është se deklaratat e OSBE-së, deklaratat e bëra menjëherë pas zgjedhjeve dhe raporti përfundimtar që del javë më vonë, kanë ndikim të rëndësishëm. Shumë analistë, politikëbërës në Uashington e lexojnë dhe vlerësojnë progresin e çdo vendi në lidhje me procesin e demokratizimit, progresin zgjedhor, etj. Po përpiqem të theksoj rëndësinë e OSBE-së, jo vetëm për imazhin e vendit, por edhe për progresin e vendit, si perceptohet në nivel ndërkombëtar. Jeni dakord me këtë?
Wollfarth: Po. Do merrja shembullin e katalizatorit. Institucionet shqiptare, partitë politike dhe qytetarët duan demokraci. Kanë një aktivitet demokratik si zgjedhjet, që janë një nga çastet thelbësore në demokraci dhe marrin asistencë. Prania e ndërkombëtarëve me përvojë me zgjedhjet vëzhgon dhe ndihmon personat dhe subjektet e përfshira për të qenë të disiplinuar dhe për tiu përmbajtur rregullave të veta, sepse të gjitha zgjedhjet këtu janë bazuar në Kushtetutën shqiptare, në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë dhe në ligjet e tjera përkatëse, duke përfshirë edhe Kodin Penal, që parashikon ndëshkime të caktuara për veprime të caktuara. Kjo ndihmon sistemin shqiptar të ketë një performancë më të mirë. Kjo është normale në demokraci ende të reja, ku është bërë progres vitet e fundit.
Bugajski: Të prekim disa detaje specifike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Sa të rëndësishme janë ato për progresin e Shqipërisë, jo vetëm sa i përket performancës së procesit zgjedhor, por demokratizimit në tërësi? Sipas vlerësimit tuaj, dhe ju e njihni shumë mirë rajonin, Shqipëria ka ecur para, prapa apo ka mbetur në vend sa u përket zgjedhjeve?
Wollfarth: Po ecën ngadalë përpara. Do të dëshiroja të ecte më shpejt. Kjo lidhet me vullnetin politik, për të qenë më teknik aty ku nevojitet. Fleta e votimit është drejtkëndore, ka të listuara partitë, vendoset shenja, hidhet në kuti, pa bërë zhurmë. Por këtu ka detaje që të habisin, sepse kur je i drejtpërdrejtë dhe nuk do të hysh nga dera e pasme, përdor letër të thjeshtë. Këtu është e stilit të kartëmonedhave. Nuk është nevoja për vula në anën e pasme, etj., etj.. Sistemi këtu është i koklavitur. Sa më i koklavitur të jetë sistemi, aq më i lartë është marzhi i gabimit. Jam munduar të përcjell shpesh herë mesazhin sa më thjesht aq më mirë. Lërini zgjedhësit të votojnë. Rezultati është në duart e tyre. Ai duhet të jetë një fotografi e vullnetit të shqiptarëve në ditën e zgjedhjeve, një fotografi e pashtrembëruar, pa filtër ngjyre, e pazmadhuar. Duhet të jetë fotografia e plotë dhe e njëmendtë e të gjithë atyre që u drejtohen qendrave të votimit.
Bugajski: Moto apo masa ka qenë gjithmonë, dhe unë kam qenë i pranishëm në Misionet e OSBE-së, veçanërisht në vendet e ish-Jugosllavisë dhe në pjesë të tjera të Evropës Lindore, a ishin zgjedhjet të lira dhe të ndershme? Kjo është pyetja e parë, pyetja e madhe që do bëhej. Sigurisht, varet si e kupton të lira dhe të ndershme dhe ndonjëherë thoshim se ishin mjaft të lira, por jo edhe aq të ndershme. Sa i përket progresit të Shqipërisë deri tani, nuk kemi pasu