Meta: Zgjedhjet e lira, sfidë e Shqipërisë
Shqipëria ka sfidë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tani që është edhe anëtare e NATO-s. Ky ishte qëndrimi i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir meta, gjatë një vizite që po zhvillon në SHBA. Meta vlerësoi angazhimin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe veçanërisht së fundmi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. "Ky proces duhet të vazhdojë me anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit", u shpreh ai. "Por, rajoni nuk duhet parë vetëm nga këndvështrimi i sigurisë", tha Meta. Sipas tij, janë standardet demokratike, forcimi i institucioneve demokratike, respekti për minoritetet dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm ato që garantojnë paqen dhe sigurinë e qëndrueshme. "Prandaj, vijoi Meta, Shqipëria ka si sfidë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të merituar statusin e saj si vend anëtar i NATO-s". Më tej, ai theksoi se angazhimi amerikan në rajon duhet të vazhdojë edhe në drejtim të zhvillimit të tij ekonomik, në rritjen e bashkëpunimit dhe ndërvarësisë midis vendeve, sidomos për sa i përket projekteve në fushën e energjisë. Meta ndodhet në një vizitë në SHBA dhe mori pjesë në konferencën e organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me temë: "Duke përfunduar misionin e Amerikës në Ballkan", në drejtimin e drejtorit të saj, Janush Bugajski.